Joshja e ISIS – intervistë me François Burgat

François Burgat është nga sociologet politik më të rëndësishëm. Arabist, ai i ka kushtuar karrierën e tij analizës së sistemeve politike dhe shoqërive civile në botën arabe. Si specialist, ai guximshëm ka konfrontuar interpretimet konvencionale rreth dinamikave socio-politike në Lindjen e Mesme. Kjo intervistë i është dhënë Sami Hanafi-iut për buletinin e fundit (dhjetor 2015) të Asociacionit Ndërkombëtar të Sociologjisë, “Global Dalogue”.

 

S.H: Në imagjinatën politike regjionale, ISIS ka sjellë diçka të re: abolim kufijsh, ndërtim perandorie, etj. A mendoni se kjo është diçka e cila tërheq të rinjtë ?

F.B: Po, sigurisht. Edhe pse burimet e tërheqjes janë të shumta dhe të llojllojshme, mund të vëjmë në pah disa nga më të shpeshtat. Për të qartësuar spektrin e motivimeve, unë sugjeroj dy kategori: motivime “negative”, të cilat përfshijnë përjashtimin apo refuzimin nga vendet e origjinës, si p.sh. nga Franca, dhe ato “pozitive” , që janë ato të cilat i tërheqin individët brenda botës së ISIS-it.

Para së të zbërthej këto motivime pozitive dhe negative, më lejoni që fillimisht të shqyrtoj shpjegimet alternative rreth tërheqjes drejt ISIS-it – shpjegimet të cilat fokusohen në variablat “ideologjikë” dhe “fetarë” dhe që hedhin tërë mallkimin mbi “islamin radikal”, i cili supozohet se bëhet pjesë e lojës atëherë kur të rinjtë “kontaminohen” nga leximi i një faqeje nga Sayyid Qutb apo përmes takimit me filan imamin “radikal” në thellësitë e një paralagjeje apo, më shpesh, në web.

Në pikëpamjen time, ky fjalor (islamik) mund të përshpejtojë procesin e radikalizimit, por nuk mund të shpjegojë transformimin personal. Historia botërore e radikalizimit na ka dëshmuar se fjalori i rebelëve nuk duhet ngatërruar me origjinat e rebelimit të tyre. Pavarësisht nga feja apo dogma, ata të cilët duan të rebelohen kanë gjetur gjithnjë burime simbolike, fetare apo profane, përmes të cilave ata mund të shprehin dhe të përligjin veprat e tyre. Interpretimet ‘islamologjike’ të dhunës xhihadiste janë popullarizuar në Perëndim ngase identifikimi i fajit me besimin Islam ua lejon vëzhguesve (si jo-myslimanë) të mohojnë çfarëdo përgjegjësie. Prapa këtyre argumenteve, shpesh ka një “iluzion pedagogjik’, që pandeh se xhihadistët nuk kanë lexuar “kaptinën e duhur” apo nuk e kanë lexuar “mjaftueshëm dhe thellësisht” , apo nuk kanë kuptuar atë që kanë lexuar – e tërë kjo pandeh se efektet shkatërrimtare të radikalizmit në botën Islame dhe më gjerë, mund të eliminohen duke përmirësuar edukimin fetar të disa miliona myslimanësh. Nuk kam nevojë të shpjegojë limitet e një qasjeje të tillë.

Continue reading

Advertisements
Standard

Dhuna na vije në oborr: intervistë me Arun Kundnani

A është gjithandej zonë e luftës tani ? Si lidhet kjo me retoriken e “luftës ndaj terrorit” ?

Premtimi i “luftës ndaj terrorit” ishte që ne do i vrasim ata “atje” kështu që ata nuk do na vrasin “këtu”. Kësisoj rrjedhë dhuna masive në Irak, Afganistan, Pakistan, Palestinë, Jemen dhe Somali – në emër të paqes në perëndim. “Autorizimi i Përdorimit të Forcës Ushtarake” , të cilin Kongresi Amerikan e pati kaluar pak pas 11 shtatorit kishte definuar qysh atëherë të tërë botën si një fushëbetejë të “luftës ndaj terrorit”. Presidenti Obama vazhdon të mbështetet tek autorizimi për ti dhënë programit të vrasjeve me drone një fjongo dekorativ legjitimiteti. Kjo është formula e vjetër koloniale e vlerave liberale tek ne, e mbajtur përmes iliberalizmi në periferi – ku vrasjet rutinë tej-juridike janë normalizuar.

Continue reading

Standard

Paradoksi i çlirimit : Revolucionet laike dhe kundërrevolucionet fetare

The Paradox of Liberation: Secular Revolutions and Religious Counterrevolutions
Nga Michael Walzer
Yale University Press, 192 faqe

41QrdC8OeQL._SX281_BO1,204,203,200_

Disa muaj më parë, filozofi Michel Walzer, një liberal komunitarist, botoi librin e tij të fundit: “Paradoksi i çlirimit: revolucionet laike dhe kundërrevolucionet fetare” të cilin e zbulova në një përmbledhje krejt të shkurtër shkruar nga James Bloodworth tek revista izraelite Fathom. Tema e trajtuar më tërhoqi dhe para pak ditësh mora në dorë librin, një lloj eseje relativisht e shkurtër dhe lehtësisht e lexueshme në stilin e veçante dhe anglishten e rrjedhshme të Walzer. Për një lexues të rregullt të anglishtes, libri mund të lexohet për 3 apo 4 orë dhe për ata të cilët nuk mund të ruajnë në kujtesën e tyre detajet e tij, mjeshtëria e shkrimit të Walzer do arrij tua farkëtoj skeletin e librit dhe idetë qendrore të tij pasi ta lexojnë atë, falë stilit tipik të Walzer. E shoh të rëndësishme ndërmarrjen e Walzer në këtë libër për shkak se e sjell autorin në qendër të një debati bashkëkohor, por edhe meqenëse natyra e librit mund të jetë dhe duhet të jetë e rëndësishme për publikun shqiptar. Këto dy arsye më shtynë t’i bëj një përmbledhje temës qendrore të librit, i cili mbase mund të lexohet nga kushdo. Mbi të gjitha, rëndësia e librit është në atë se Walzer i bashkohet valles së një morie filozofësh e mendimtarësh të tjerë, të cilët kanë trazuar kuptimet e laicitetit dhe mënyrat e të shikuarit mbi realitetin përreth dhe se libri i tij hap dritare të reja në të kuptuarit e marrëdhënies ndërvarësore e gati kauzale midis disa formave të laicitetit dhe ngritjes së lëvizjeve fundamentaliste fetare të një natyre politike. Kjo përmbledhje është skematike, e mbase edhe reduktuese për shkak të pamundësisë objektive për tu thelluar në të gjitha çështjet të cilat Walzer përshkon në libërthin e tij. Continue reading

Standard

Islamofobia midis mohimit dhe keqpërdorimit

Duket se diskutimet mbi radikalizmin në tryezave që mbledhin rreth tyre kryesisht pak e hiç njohës të zhvillimeve bashkëkohore mbi teoritë e radikalizimit, kanë filluar të zënë vend më shumë në Kosovë. Këtu nuk do të trajtoj ndonjërën nga teoritë e radikalizimit, e as ndonjërin nga modelet shpjeguese të procesit të tij, individual apo grupor (në kuptimin e procesit në të cilin një individ apo një grup aprovon, ushqen apo vepron dhunshëm apo kundërligjshëm. Edhe pse definicioni i ‘radikalizmit’ ballafaqohet me të njëjtin problem si ai i ‘terrorizmit’), por do të merrem më një diskutim tjetër, i cili megjithatë është i rëndësishëm në gjithë të folurën rreth radikalizmit: diskriminimin apo deprivimin (privimin) nga të drejtat esenciale të disa individëve apo popullatave të paracaktuara e të kategorizuara nga ligjërimi. Në mënyre specifike, është islamofobia ajo që më intereson këtu.

Arsyet përse duhet marrë shtruar, në aspektin konceptual dhe praktik, me “islamofobinë” janë disa. Por ky shkrim nuk mëton të merret shtruar me ketë çështje. Është një shkrim prozaik që megjithatë synon të vë në pah një ligjërim të montuar me letra, e që meriton të çmontohet: mohimin e islamofobisë. Njëra nga arsyet e trajtimit të islamofobisë, e që lidhet me diskutimet rreth radikalizmit, është fakti se në mënyrë konsensuale, të gjitha teoritë e radikalizimit (diku rreth 20 teori të ndryshme, komplementare njëra me tjetrën) qofshin ato sociologjike, psikologjike, socio-psikologjike, psikanlitike apo teoritë konjitive, pajtohen në atë se në procesin e radikalizimit njëri nga faktorët e rëndësishëm, shtytës, hallkë në rendin linear shkak-pasojë apo në shpërthimet e papritura të dhunës, është diskriminimi, apo trajtimi i pabarabartë i një popullate të caktuar, apo mohimi i barazisë në drejtësi, apo i të drejtave esenciale. Këto teori nuk vënë në pikëpyetje atë se a është ky një faktor apo jo, por ato artikulojnë qëndrime të ndryshme mbi atë se sa është ky faktor i rëndësishëm. Pra dallimet e tyre janë të rendit hierarkik, e jo të një rendi i cili vë në pikëpyetje rëndësinë e tij. Arsyeja tjetër – e edhe preokupimi kryesor i këtij shkrimi – se përse është e rëndësishme që të flasim për ‘islamofobinë’ , është fakti se ky term në vetvete vihet në pikëpyetje nga një ligjërim publik, me argumentin se ky term është thjesht një mënyrë për të delegjitimuar kritikën, për t’i bërë apologjinë ekstremizmit etj. Rrumbullakimi i argumenteve të këtij ligjërimi u bë nga Sibel Halimi, në shkrimin e saj Islamofobia – tendencë relativizuese ndaj ekstremizmit fetar, ku autorja orvatet të dëshmojë se përse “teza” e ekzistencës së islamofobisë është “fragjile” (pra ‘e brishtë’) duke argumentuar se islamofobia nuk ekziston sepse:

  1. Në një vend që “nominalisht”, regjistrimi i fundit e nxjerr [popullin] me shumicë myslimane, një tezë e tillë tingëllon anakronike” në kuptimin se kjo duket kunderthënëse, duke vazhduar argumentin me atë se “duke qenë vend me shumicë myslimane është krejtësisht e palogjikshme që një përcaktim religjioz të kthehet në fobi.”, apo
  2. sepse siç thotë Brendan O’Neil, një gazetar-bloger, të cilit profesoresha e UP-së ka vendosur t’i referohet për argumentin e saj:  “Ideja e islamofobisë gjithmonë është e bazuar më shumë tek fantazitë dhe paniku i elitave politike e mediatike, sesa tek ndonjë nivel real dhe i matshëm i urrejtjes ose i dhunës kundër myslimanëve

Dhe një argument tjetër të cilin Halimi nuk e përmend, por i cili është artikuluar në rrjetet sociale nga të djathtë apo të majtë, të cilët kanë pranuar argumentin i cili përtej kufijve tanë njihet si argument i skajit të ‘djathtë’ , e që është ai se:

  1. Islamofobia nuk ekziston. Ajo është vetëm një “fantazi”, “trillim” dhe “shpikje” që vihet në shërbim për të ndaluar apo penguar çfarëdo kritike ndaj “Islamit” apo “myslimanëve”, ndaj ‘ekstremizmit islamik’ apo “vet-viktimizim”.

Continue reading

Standard

Ereksione të (pa)zakonshme antifetare

E kam përcjellë me interesim ngjarjen rreth tokës së akorduar nga Komuna e Drenasit, për varrezat dhe kishën katolike të një komuniteti të vogël katolikësh në Llapushnik. Lajmi i djeshëm rreth shkatërrimit të rrethojës së varrezave të ardhshme (që duket të kishte ndodhur me datën 19-të), u përcoll më disa rafalë rreth ‘jotolerancës fetare të myslimanëve’ , ‘vehabizmit’ , ‘terrorizmit’ ,  ‘BIK-ut’ si prodhues i jo tolerancës etj. Është roli i këtij diskursi  që më intereson, si rast për të trajtuar (edhe njëherë) disa anomali rreth të folurit e të raportuarit për ‘fenë’ e për fenomenin e ‘fetarizimit të ngjarjeve’. Reprezentimi mediatik i ngjarjes në fjalë, shpërthimi i disa gazetarëve në prepozicione që ngritën e ndërtohen mbi disa predikate tashmë të konsoliduara në ‘gjuhen e medive’ dhe raporti i këtij ligjërimi në rastin specifik dhe në rastet tjera. Continue reading

Standard

Jean Baubérot, rreth nocionit të laicitetit – intervistë

Intervistë me Jean Baubérot – themelues i sociologjisë së laicitetit.

Jean Baubérot është historian dhe sociolog francez, themelues dhe drejtor i moçëm i grupit Shoqeri, Fe, Laicitete (GSRL). Ai nuk ka reshtur se mbrojturi një laicitet më përfshirës, me inkluziv të mundshëm, i cili nuk i përkulet neutralitetit.

Cili është përkufizimi juaj i laicitetit ?
Mendoj se nuk duhet dhënë një përkufizim substancial të laicitetit. Duhet ta përkufizojmë me qëllimet e tij dhe unë i shoh dy: në një anë, liria e ndërgjegjes si një liri publike (dhe jo vetëm si liri e brendshme) që ka të gjitha karakteristikat e lirive publike në demokraci.. Në anën tjetër, parimi i mos diskriminimit për arsye të bindjeve fetare. Për të arritur këto finalitete apo qëllime, mënyra më e mirë është ndarja e pushtetit politik dhe autoriteteve fetare, që këto të fundit të mos marrin pjesë në qeverisje, të mos imponojnë (përmes pushtetit politik, sh.p) normat e tyre shoqërisë. Rezultati është neutraliteti i arbitrar i pushtetit publik, Shteti sillet si një arbitër me bindjet e ndryshme. Me këtë përkufizim, shohim se mund të ketë mënyra të ndryshme se si mund të jetësohet laiciteti, pra laicitete konkrete të cilat dallojnë sipas historisë së vendeve dhe kontekstit gjeopolitik. Brenda një vendi, laiciteti vazhdimisht është një çështje midis aktorëve të ndryshëm të cilët mund të kenë botëkuptime të ndryshme.

Disa këmbëngulin se liria e ndërgjegjes është mbi të gjitha emancipimi nga feja dhe e lokalizojnë laicitetin në një luftë shumë antiklerikale; të tjerë, në të kundërtën, në konceptimin e tyre të lirisë së ndërgjegjes, insistojnë mbi lirinë e fesë dhe e bëjnë atë një sinonim të saj, duke zbehur të drejtën për të mos besuar, për të refuzuar fenë. Bëhet fjalë pra për një përkufizim i cili tenton të përfshijë faktin se laiciteti përbënë gjithnjë një çështje socio-politike.
Continue reading

Standard

“Eja në ISIS.Është sikur në lojen «Call of Duty», por është reale”. Intervistë me Olivier Roy.

Përse terrorizmi islamist është zhvilluar në një kërcënim global dhe çfarë kanë të përbashkët luftëtarët e rinj të «Shtetit Islamik ». (sh.a. në vazhdim shkurtesa SHI) me aktet vrasëse në shkollat amerikane? Një bisedë me Olivier Roy, njohësin kryesorë francez të islamit.

 

Nga Daniel Binswanger

Ndër njohësit e islamit ai është një shfaqje e veçantë. Në njërën anë Olivier Roy ka përfunduar një karrierë të shkëlqyeshme akademike dhe ka përpiluar disa nga studimet kryesore rreth islamit politik. Libri i tij “Dështimi i islamit politik“ (L’Échec de l’Islam politique) përdoret si referencë, ashtu siç edhe “Rruga islame drejt perëndimit“, një analizë rreth pozitës së islamit në shoqërinë e tanishme te globalizuar. Në anën tjetër Roy posedon një thesar të përvojës në hulumtime politike në terren, gjë e cila e dallon atë nga të ashtuquajturit ekspertë: ai i qasej nga afër objekteve të studimeve të veta si udhëtar, por edhe si këshilltar shumëvjeçar i Ministrisë së Jashtme franceze dhe shërbimeve të sigurimit, si dhe si diplomat i OSBE dhe i dërguar i UNO-së. Gjatë viteve 80-ta përshkonte me të madhe Afganistanin e kapluar nga lufta dhe si njohësi më i mirë perëndimor i muxhahedinëve antisovjetikë u bë ekspert i kërkuar në qarqe të shkencës, diplomacisë dhe shërbimeve te sigurisë. 11 Shtatorin e përjetoi gjersa ishte në Dushanbe, kryeqyteti i Republikës së Taxhikistanit në Azinë qendrore. Udhëtoi për t’u takuar me komandantin Masud, udhëheqësin e aleancës veriore afgane, të cilin ai e njihte për më shumë se 20 vite. Mirëpo Masud u vra dy ditë më herët nga Al Kaida, si fillesë e sulmeve në ShBA. Roy ka provuar të depërtojë teorikisht në islamin politik dhe terrorin islamik, por nuk e njeh atë vetëm nga teoria. Në të gjitha librat e tij ai niset nga bindja se islami politik mund të kuptohet vetëm nëse trajtohet nga kornizat e zhvillimeve shoqërore e politike.

Continue reading

Standard