Dekorimet festive, paratë  publike dhe laiciteti  

KrishtKosova është vend ku laiciteti përmendet vetëm kalimthi, si rrufe, për të  projektuar shpesh kuptime të  përfytyruara, të imagjinuara. Në debatet parlamentare ashtu sikurse edhe në ato të shoqërisë civile, shumë rrallë mund të gjendet një trajtim i detajuar  mbi kuptimet e këtij nocioni, përndryshe thelbësor për mbarëvajtjen  e jetës së një bashkësie pluraliste në  Shtetin modern. Në rastet më të shpeshta, për të mbuluar qëndrime shpesh ideologjikisht të motivuara, laiciteti shpërfaqet në formën e tij më  të  fetishizuar si “ndarje e fesë nga Shteti”, por ai në kompleksitetin e tij tejkalon këtë formulë të thjeshtëzuar. Më poshtë do të merrem me një çështje aktuale, si shkas për të  paraqitur atë  se çfarë  nënkupton laiciteti. Sidomos duke konsideruar se ‘laicteti’ , në ligjërimin tonë publik, qëndron krah për krah me fjalë të tjera si një “shënjues pluskues” , siç do ta quante Levi-Strauss.

Reagime të ndryshme janë shfaqur rreth (mos)dekorimit të qytetit të Prishtinës nga Komuna. Shteti i Kosovës njeh disa festa publike, të karakterit fetar dhe laik. Në këtë muaj qëllojnë të jenë dy festa të tilla, njëra fetare (Krishtlindjet) dhe tjetra tashmë laike (ndërrimi i viteve). Sipas Gazetës Express, për shkak të procedurave midis shpalljes së tenderit dhe dekorimit, Shpendi Ahmeti do të shmangë dekorimin për Krishtlindje dhe kjo është hera e parë që Kryetari i Prishtinës bënë një “skandal të tillë”. Edhe zyrtarë nga Ipeshkvia e Kosovës duket të jenë mërzitur dhe nga fjalët e tyre, nëse Ahmeti nuk dekoron qytetin për festen krishtere të Krishtlindjeve, atëherë kjo do nënkuptonte se Prishtina më “s’rreshtohet me qytete evropiane”. ‘Evropa‘, kjo fjalë e shumë përseritur e shantazhit identitar. Pa e ditur ende se a do të dekorohet apo jo Prishtina për një festë fetare, do të bëj përpjekje të shoh se a konsiston, mbi  parimin e laicitetit, një abstenim i tillë në një “skandal” apo në të kundërtën dekorimi për një festë fetare përbënë shkelje të neutralitetit të Shtetit..

Laiciteti i shtetit është një parim politik me të cilin rregullohet mos-dominimi i institucioneve fetare nga institucionet politike dhe anasjelltas,  si dhe baras-largimi apo baras-afrimi i Shtetit dhe funksionarëve të tij me fetë dhe botëkuptimet tjera gjithëpërfshirëse mbi jetën (ateizmit, agnosticizmit etj). Përkthimi i këtij parimi bëhet me ndarjen e autoriteteve të  fesë dhe institucioneve politike  dhe kërkon besnikëri ndaj parimit të  neutralitetit apo paanshmërisë së Shtetit dhe trupës së tij ndaj feve dhe botëkuptimeve tjera gjithëpërfshirëse.  Kjo paanshmëri përkthehet praktikisht, ndër të tjera, në trajtimin e barabartë nga Shteti i të gjitha komuniteteve botëkuptimore, fetare dhe afetare, teiste apo ateiste; në kufizimin e funksionarëve të Shtetit që të bëjnë interpretime të fesë dhe të ndërhyjnë në punët e saj ; në shpërndarjen e barabartë të parasë publike; në mos favorizimin e një feje apo një botëkuptimi afetar për jetën mbi një fe apo botëkuptim tjetër etj. Në tërë këtë, laiciteti politik i Shtetit ka  thelbësisht  dy qëllime: ruajtjen e lirisë së ndërgjegjes (pra edhe lirisë fetare dhe afetare) si dhe garantimin e respektit të   barabartë ndaj qytetarëve. Laiciteti ua obligon neutralitetin institucioneve shtetërore por jo individëve në gjirin e këtyre institucioneve. Synimi i tij është  institucioni laik, e jo individi laik. Kur Shteti synon individin dhe laicizimin e tij, atëherë laiciteti si nocion politik shndërrohet në projekt ideologjik në  duart e Shtetit, monopolizuesit të përdorimit të dhunës. Laicizimi (apo sekularizimi) i individit dhe i shoqërisë, ndryshe nga laiciteti i Shtetit dhe institucioneve të tij, nuk është një nocion politik, por sociologjik i cili nuk guxon të ndërmerret nga Shteti meqë kështu do e shndërroj atë në një aparat të ideologjizuar në raport me qytetarin të  cilit parimisht i detyrohet ruajtjen e lirisë  së  ndërgjegjes dhe bindjeve;  një Shtet në këtë rast do të favorizonte një botëkuptim afetar mbi botëkuptimet tjera fetare; aty ku Shteti promovon  laicitetin si botëkuptim për jetën, aty ai përfundon së  qeni Shtet laik.  Zgjedhja arbitrare, promovimi dhe propagandimi i laicitetit si formë  më  e mirë (botëkuptim) e jetës për individin nga institucionet e Shtetit,  në dëm të botëkuptimeve të tjera të cilave ua ka borxh trajtimin e barabartë, e shndërron atë  Shtet në bartës të  ideologjisë laiciste e jo në Shtet laik. Laiciteti politik e përjashton pra laicizimin e qytetarit si projekt të  Shtetit dhe synon garantimin e lirisë  dhe të  drejtave të  barabarta të  ndërgjegjeve të  llojllojshme përmes neutralitetit dhe ndarjes, si instrumente institucionale të përmbushjes së synimeve në fjalë.

A është skandaloze abstenimi apo mos abstenimi nga investimi i parasë publike për dekorime festash fetare?  Varet.  Shteti, pra edhe Komuna si gjymtyrë e tij, mund të ketë dy zgjedhje alternative rreth ndarjes së parasë publike për festat fetare të cilat ai i njeh zyrtarisht dhe të dyja këto zgjedhje përkojnë me dy modele të ndryshme të laicitetit politik. Shteti mund të qëndroj paanshëm apo të  ruaj neutralitetin e tij  në dy mënyra. E para, Shteti mund të dedikoj të  mira nga paraja publike (të cilat i merr nga qytetarët e besimeve dhe bindjeve të llojllojshme) për festat fetare dhe laike  duke e bërë këtë në mënyrë të barabartë apo, e dyta, ai mund të abstenoj tërësisht nga ndarja e parasë publike për dekorime në rast festash. Pra ai mund të jetë neutral me ndarje të barabartë apo proporcioanle, ose neutral duke hequr dorë krejtësisht nga ndarja e parasë publike për raste të tilla. Në Kosovë, siç raporton Gazeta Express dhe Gazeta Zëri, Komuna e Prishtinës me vite të tëra ndanë para për festën e Krishtlindjeve dhe atë të Vitit të Ri. Ndërkaq Komuna  nuk ndanë para për festat tjera fetare përgjatë vitit. Realisht, ajo që përthyhet  si ‘skandaloze’  këtu është marrëdhënia e Shtetit (Komunës në  këtë  rast) në raport me laicitetin e Shtetit. Fakti se kjo traditë është vendosur në Komuna të ndryshme ndër vite në Kosovë dhe se aty tashmë është krijuar traditë  arbtrare e financimit të  festës së  vetëm një  feje, është  pikërisht problemi i cili do duhej preokupuar ata që  kuptojnë laicitetin. ‘laikisht’, nëse Shteti ndanë para ekskluzivisht për një (apo dy) fe të njohura zyrtarisht por jo për të gjitha, Shteti ka shkelur parimin e neutralitetit (Neni 8 i Kushtetutës) ngase me paranë publike favorizon një fe karshi feve të tjera duke i hedhur këto në kategorinë feve të dorës së  dytë. Kjo zakonisht reflektohet dëmshëm tek komunitetet e defavorizuara. Shteti kështu e thyen paanshmërinë e tij duke u  bërë financues i një feste fetare (krishtere) dhe duke injoruar festat e të tjerëve, dhe këtë  e bënë   me paranë publike. Komunat psh. nuk ndajnë para për festivitete publike me rastin e Bajramit apo festave Ortodokse, të njohura me një status të njëjtë zyrtar sikurse edhe Krishtlindja. Në këtë kontekst, abstenimi i Kryetarit të Komunës nga ndarja e parasë publike për festimin e dekorimin e Krishtlindjeve është një qëndrim i cili parimisht  ruan neutralitetin e Shtetit. Ky do të ishte qëndrimi më parimor i deritanishëm i një funksionari të Shtetit laik në pozitë, ngase do të shndërronte komunën në komunë të paanshme karshi feve. Në të kundërtën, investimi i parasë publike për dekorimin e kësaj feste fetare do të ishte shkelje e parimit të laicitetit dhe prishje e paanshmërisë , përveç nëse Komuna vendosë të bëjë të njëjtën edhe me festat tjera fetare, gjë të cilën Shpend Ahmeti nuk e ka bërë me rastin e Bajramit apo festave të tjera fetare gjatë vitit. Ironia: opozita komunale nga PDK dhe LDK kanë kritikuar Ahmetin për vonesën në dekorimin e qytetit, ndërkaq partitë e tyre kanë  trumbetuar pandarë për “ndarjen e Shtetit nga feja” në raste të ndryshme. Kosova realisht ka vite që shkel laicitetin kur financon dekorimet e një feste fetare por neglizhon festat tjera, e edhe ato që kremtohen nga shumica e popullsisë. Këtë e bënë edhe Tirana zyrtare vazhdimisht, e edhe sivjet. Në Evropë, kjo mungesë e neutralitetit  shpjegohet me idenë se “Krishtlindjet” nuk janë më festë fetare, por kulturore, e Evropës dikur të krishtere, tani të sekularizuar. Por në Kosovë, ndarja e parasë publike vetëm për Krishtlindjet nuk mund të bëhet me ndonjë pretekst të tillë dhe nuk do të gjente legjitimitet ekskluziviteti i Krishtlindjeve si festë ndryshe nga festat e psh. Bajramit. Gjithsesi, në  planin teorik ka edhe një  problem tjetër që  mund të  parashtrohet por të  cilin do e anashkalojmë kë tu, e ai është : a i lejohet shtetit që  të  financoj një  festë  laike e afetare (si Viti i Ri) dhe të  mos financoj në  raste festash tjera, fetare ? Problemi kë tu shtrohet  në  atë  se a i lejohet shtetit të  favorizoj  një  botëkuptim afetar duke e financuar atë, duke injoruar botëkuptimet fetare (të  nënkuptuara në  festat fetare) ?

Ajo që duket (jo e) çuditshme është fakti se në shkrime të ndryshme gazetash Ahmeti akuzohet për mos dekorimin e Krishtlindjeve, nga të njëjtat gazeta të cilat kohë pas kohe i rrahin fjalës ‘laicitet’ në raste të veçanta, duke e banalizuar termin. Gazeta Express e ka vendosur ta bëjë Ahmetin islamist, duke e bërë qëndrimin e tij (ende të paqartë) në raport më dekorimin e Krishtlindjeve si “vardisje me grupet islamiste”. Njëlloj sikurse Express-i, edhe portali i TV-së publike të Kosovës  që paguhet me paratë e qytetarëve, ka shprehur të njëjtën duke thënë se qëndrimi i KP qenkësh “një lloj konfirmimi” i rreshtimit të Vetëvendosjes me “islamin radikal” (që në të njëjtën kohë disi shndërron në “radikal islamistë” të gjithë ata që thjeshtë nuk identifikohen me Krishtlindjet, dhe nuk festojnë këtë festë). Ahmeti ka shprehur ne Facebook se dekorime do ketë për festat, pa potencuar cilat festa. Gjithsesi me e çuditshmja ishte indinjata e shprehur nga një grup i Facebook-ut, ‘Ateizmi’ (që mbledhë diku rreth 2.500 veta), e cila këtë abstenim të Ahmetit e kanë trajtuar në një tekst edhe më agresiv, por të së njëjtës frymë me RTK-në dhe Express-in. Siç duket ka disa  ateistë të cilët janë indinjuar shumë  nga fakti që komuna ndoshta këtë radhë nuk do të paguaj me taksat e qytetarë ve,  për dekorimin e Krishtlindjeve. Por për të interesuarin e diskutimeve mbi fenë dhe politiken  kjo nuk është  edhe aq e çuditshme kur kujtohet se disa ateistë qenë  indinjuar  me faktin që një imam i çuditshëm pati vendosur se Nënë Tereza do të shkonte në ferr.

Lexuesi duhet te pyetet se: a nuk është e çuditshme  që mediat (Zeri , Koha apo Express-i), të cilat kohë pas kohe brohorasin “Shteti është i ndarë nga feja”, të shprehin pakënaqësi, protestë apo indinjatë se Komuna (s)paska vendosur të dekoroj për një  festën fetare por të dekoroj vetëm për Vitin e Ri ? Ose të imagjinojmë sikur Shpend Ahmeti, me njërën nga ‘dhjetmijëshet’ e 62 mijë eurove të shpenzuara vitin e kaluar për Krishtlindje dhe Vit të Ri ti kishte ndarë për , të themi, kurbane me rastin e Kurban Bajramit apo për llokume, bakllava dhe bozë pranë dyerve të Komunës me rastin e Bajrameve: mundem vetëm të përfytyroj angullimat e të njëjtave media : “Shteti duhet ndarë nga feja” apo se “Ahmeti dhe VVje flirtojnë me islamistët radikal”. Ndriçime për këto funksionalizime ideologjike do e kërkojmë me ndonjë shkrim tjetër.


Për shkasin tonë, le të hedhim një sy qëndrimit të Berat Buzhalës, i cili disa herë është shprehur se “beson në një shtet sekular” dhe ka bërë thirrje për mbrojtjen e “themeleve të shtetit laik”. Raportohet  se Buzhala ka thënë, duke iu referuar Shpend Ahmetit se “…[P]osaçërisht, do të jetë kriminale prej anës së tij, nëse vendos që Prishtinën ta ndriçojë pasi të kalojë festa e Krishtlindjes. Kjo do të ishte hera e parë që një politikan, për të cilin kanë votuar mbi 50 për qind e votuesve të Prishtinës, të vendosë, kaq publikisht, të nënçmojë një pjesë të qytetarëve shqiptarë të Kosovës, të një përkatësie tjetër religjioze.”. Buzhala e konsideron ‘krim’ faktin që Shteti laik, të cilin e ka brohoritur, nuk do investojë paranë publike për, shprehimisht, “Krishtlindjet” këtë festë fetarë të kremtuar nja “një pjesë të qytetarëve shqiptarë të Kosovës” , respektivisht të katolikëve. Por ka një fjalë kyçe në fjalinë e tij, fjala ‘nënçmim” të cilës më lartë i jemi referuar si ‘defavorizim” , përkundër “favorizimit” (nga Shteti i ndonjë feje karshi të tjerave) apo “tejçmimit”. Për Buzhalen është krim të ‘nënçmohet’ një komunitet (katolik) i cili tejçmohet me vite në Kosovën, Shtet laik, përderisa nënçmohen të gjitha komunitetet tjera fetare. “Nënçmohet” këtu i referohet faktit se ajo tash e mbas, ndoshta, do të trajtohet njësoj se të tjerat. Për ti shpjeguar Buzhales laicitetin, duhet shpjeguar atij dhe të tjerëve që mendojnë kështu se laiciteti implikon që Shteti të mos nënçmoj por edhe të mos tejçmojë një komunitet fetar karshi komuniteteve tjera fetare zyrtarisht të njohura. Buzhala nuk e ka problem faktin që Shteti i tij laik favorizon komunitetin katolik mbi komunitetet tjera, por e ka problem kur Shteti vendosë, eventualisht, të mos i nënçmoj më komunitetet tjera dhe ti trajtoj të gjitha baras duke hequr financimin publik për komunitetin të cilin  qeverisjet lokale paraprake e kanë favorizuar duke injoruar komunitetet tjera fetare të Kosovës.(Mbase njëri nga liderët e teorisë politike, filozofi Rober Audi, mund ti ndihmojë Buzhales dhe lexuesit skeptik për të kuptuar më mirë këtë parim në citimin nga libri i tij që kemi sjellë në fund të shkrimit.)

Pasi që një qytetar i interesuar, që duket se ka kuptuar më mirë se Buzhala thelbin e laicitetit politik të Shtetit, i shtron pyetjen për të cilën ne jemi marrë që nga fillimi, Buzhala disi i zënë ngushtë, orvatet që të përgjigjet duke theksuar me zë të lartë të shprehur me “pikë-at” e tij,  se ai është militant i vërtetë i shtetit laik:

Berat Buzhala laciteti feja sekularizmi krishtlindjet Shpend Ahmeti festat dekorimet financimi paraja publike

Pra Buzhala është, kinse, për një shtet sekular, për mosndërhyrje të kompetencave të Shtetit mbi ato të fesë dhe anasjelltas etj. Por sekularizmi i tij është i çuditshëm, por tipik përkatës me të kuptuarit e çuditshëm të sekularizmit nga plot njerëz që e përmendin atë poshtë e lartë. Për të nuk ka problem që Shteti të dhuroj para për një fe të caktuar e të mos dhuroj para për të tjerat. Shteti duhet të argëtoj qytetarët për ‘ditë të veçanta” , por në mënyrë implicite, për te, disa ditë janë më të veçanta se të tjerat. Buzhala shprehimisht ka akuzuar Ahmetin për “Krishtlindjet”, duke e ngarkuar atë me akt “kriminal” , gati gati për ‘terrorizëm’ ndaj komunitetit katolik. Si duket “argumenti” më i mirë i Buzhales është tradita e Vjenës dhe e Londrës, por paqëndrueshmërinë e  këtij lloj arsyetimi e kemi trajtuar më lartë, ai është irrelevant për Kosovën, këtë hapësirë historikisht pluraliste ku asgjë kulturore nuk legjitimon trajtimin e privilegjuar të festave katolike. Madje ironikisht, nëse ndjekim ‘traditën e Vjenës dhe Londrës” , do të ishte Bajrami ai i cili do të duhej të ‘privilegjohej” siç ndodh me Vjenën apo Londrën, të cilat privilegjojnë kulturalisht “Bajramet” e veta me mungesë paanshmëri, dhe me arsyetimin se Krishtlindjet nuk janë më festa fetare por kulturore të këtyre vendeve të laicizuara. Por në Kosovë nuk ka asgjë më shumë kulturore tek Krishtlindjet sa ka tek festat tjera fetare, e asgjë me pak fetare në të sa ka tek të tjerat. Buzhala pra, nuk ka problem që Krishtlindjet të financohen nga Shteti , meqë janë “ditë e veçantë” , por duket se ka problem që ditë të tjera po aq të veçanta për përkatësitë tjera të trajtohen me paanshmëri nga laiciteti i tij. Duket se qëndrimin e njejtë me Buzhalen e ndajnë edhe të tjerë si analisti Xhemal Ahmeti, ndryshe i njohur edhe si “mbrojtës i laicitetit për raste të caktuara” , gazetari Vehbi Kajtazi e të tjerë.

Kështu, sa për të orwellizuar gjithë këtë lloj laiciteti të shpifur, në Kosovë të gjitha festat fetare janë të barabarta në veçantinë e tyre , por disa janë më të barabarta në veçantinë e tyre sesa të tjerat. Madje për dikë që ndjek me kujdes qëndrimet asimetrike të Shtetit tonë në raport me fetë, mund të thuhet se në Kosovë të gjitha fetë trajtohen baras, por disa trajtohen më baras se të tjerat.

Për këtë lloj laiciteti që shprehet ndryshe ndaj disave, e ndryshe ndaj të tjerëve, ka edhe emër në studimet përkatëse, por emrin, do e trajtojmë ndonjëherë tjetër bashkë me tërë ligjërimin e tillë.


The governmental employer principle: Governmental employers should adopt management policies that accord with the liberty, equality, and neutrality principles.

Here it is the neutrality principle that is most likely to be questioned or suspended in special cases and is most likely to be difficult to clarify by appeal to even the many pertinent laws that a country like the United States may have. May a post office in a small, predominantly Christian town put up Christmas decorations? Despite appearances, the neutrality principle may allow this and similar kinds of religious expression under certain conditions. If there are also holiday decorations of a secular character and the Christmas decorations do not include religious content presented as endorsed, the setting may be neutral toward religion as opposed to  secularity, and religion need not be favored over secularity.

The practice may still fail to meet the equality standard, however, if no religion other than Christianity is represented side by side with the secular symbols (or on the relevant celebratory occasions). Treating one religion on a par with the secular, even if it is consistent with a plausible understanding of the neutrality principle may still have effects that favor this religion over others. Suppose, however, that although no other religion is represented, this is only because no other has practitioners among the citizenry of the community in question. Should the minority of secular citizens (or any citizens who disapprove of the governmental omission) be intolerant, say enlisting legal help in banning the decorations? This would be within their legal and perhaps moral rights, but it might be ethically undesirable. The situation could be one in which the imbalance is unintentional and protest would be counterproductive.

In the light of this kind of departure from equality and  perhaps neutrality as well, it seems reasonable for government—as it may be for certain businesses—either to sponsor no official representation of religious symbols or to give all the religious traditions present in the community some representation, and in such a way that their prominence resembles the proportions of the relevant population in the community belonging to those traditions. One might here speak of a principle of proportionate inclusion as governing displays of religious symbols in a governmental workplace— and arguably applicable to certain large publicly held companies as well. The principle calls for including religious symbols roughly in proportion to the number of people they represent in the relevant community (mainly employees in some cases, especially in non-public company space, but in other cases including customers and sometimes suppliers).Faqe 126-127

R. Skopi

Mund të ‘riprodhohet’ me kusht të shenimit përcjellës me burimin “Marrë nga: [referenca; linku]” .

Advertisements
Standard

6 thoughts on “Dekorimet festive, paratë  publike dhe laiciteti  

  1. Donika says:

    Kushdo qe je – Bravo te qofte! Moti nuk kam lexuar dicka ne shqipe te shkruar me kaq thjeshtesi, qartesi sociologjike dhe elegance briliante. Urime!

    Like

  2. edhe une jam Kosov says:

    BRRAVO I NDERUAR….AH SIKUR POPLLI IM TE LEXONTE ME MIRE GJERAT DO I KUPTONTE….JEMI LODHUR ME MEDIA DHE POLITIKAN TE NJEANSHME.

    Like

  3. Anonymous says:

    Shkrimi është shumë i mirë, një leksion i vërtetë për të paditurit e politikës servile shqiptare.
    Doja të jepja vetëm një sugjerim, ta korrektoni dhe redaktoni pak gjuhësisht, sepse vende vende e humb bukurinë e tij nga disa gabime drejtëshkrimore dhe ortografike. Gjithsesi urime presim shkrime të tjera me të njëjtin nivel.

    Liked by 2 people

  4. Pingback: Dy-tri fjalë për të folurit rreth fesë | religjioskopi

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s