Gramatika e laicitetit kosovar. Kundrinori i zhdrejtë i laicitetit të Kosovës, Krishtlindjet dhe shkollat publike

Në shkrimin paraprak jemi munduar që, përmes rastit të dekorimeve, të tregojmë se si ‘laiciteti’ në ligjërimin kosovar mbetet kryesisht si një siluetë. Ndërsa tani, do të përpiqemi të shohim pak më thellë në atë se mbi kë (nuk) vepron laciteti në hapësirën kosovare. Do të marrim disa shembuj mbi të cilët diskutimet rreth laicitetit mungojnë tërësisht, krahas përmendjes së nocionit kryesisht në raste të cilat implikojnë religjiozitetin mysliman, pra Islamin. Islami në fakt është objekti mbi të cilin kryesisht bie diskursi i tillë i laicitetit. Por, kryesisht, vetëm përmendet për të plasuar qëndrime antagoniste.

Feja dhe jeta publike janë tema diskutimi të cilat kanë ngjallur debate të jashtëzakonshme dhe dekadën e fundit shtëpitë e rëndësishme të botimit si Routledge, Brill apo Oxford, botojnë çdo vit qindra tituj  mbi fenë dhe sferën publike, fenë dhe politikën etj. ,tema për të cilat, nga aq sa arrijmë të ndjekim në mediat e shkruara dhe audio-vizuale,  publiku Kosovar mbetet tejet larg dhe tituj  të cilët mbesin krejtësisht të panjohura për shumë lexues.

Implementimi i parregullt dhe jo-konsistent i politikave të laicitetit ka rëndësi të madhe në atë se si komunitetet rregullojnë raportet e tyre. Politikat jo-konsistente apo të pabarabarta të laicitetit, krijojnë skizma identitare të cilat e fundosin qytetarinë në debate të pafundme identitare dhe në tensione të cilat mund të shpërthejnë në përplasje. Trajtimi i dyfishtë i komuniteteve me politika  kundërthënëse të laicitetit krijon ndjesinë e të qenit të diskriminuar  dhe të nënçmimit tek  komunitete të veçanta drejt të cilave praktikohet standard i dyfishtë. Ndërkaq qëllimi i laicitetit është arritja e pikërisht të kundërtës, krijimit të kohezionit midis komuniteteve të ndryshme botëkuptimore, ngaqë qytetarët nuk ndajnë të njëjtat bindje dhe botëkuptime gjithëpërfshirëse mbi atë se çfarë konsiston në një jetë të mirë dhe moslejimi i dominimit të një perspektive gjithpërfshirëse për jetën mbi të tjerat, duke mos favorizuar këtë mbi të tjerat.
Në diskursin rreth laicitetit në Kosovë, siç kemi thënë edhe diku tjetër, ka çudira. Indinjata e  shprehur në formë frike se Shteti po gëlltitet nga islami radikal, se shteti apo aktorë të sferës publike po flirtojnë me islamin radikal atëherë kur, rrallë,  në gjirin e tij shfaqen nota proteste mbi mungesën e konsistencës së politikave të tij të laicitetit, është indinjatë e cila nuk lidhet vërtetësish me « laicitetin », sa lidhet me nënkuptimin ideologjik i cili gjallëron ligjërimin mbi te. Gramatika e laicitetit të tillë  konsideron disa kundrinorë të veçantë (myslimanet) si objekte ekskluzive të ‘laicitetit si folje’. Nënkuptimi ideologjik i përdorimit diskursiv të laicitetit si ‘folje’, kundrinori i së cilës është një komunitet i caktuar, shprehet më së miri në qartësinë e standardeve të dyfishta të cilat përcjellin këtë diskurs kur është fjala për raste të ngjashme. Sipas një përshkrimi të konceptit të barazisë nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë, diskriminimi mund të jatë i dy llojeve : diskriminim direkt, atëherë kur situata të ngjashme, trajtohen gabimisht në mënyra të ndryshme, dhe diskriminim indirekt , kur situata të ndryshme trajtohen gabimisht si të njëjta. Do të trajtojmë më poshtë raste ku politikat e laicitetit reflektojnë (mos)trajtime të ndryshme dhe kontradiktore për të ngritur pikëpyetje mbi nënkuptimet që merr laiciteti në ligjërimin kosovar, të  ligjvënësve dhe shoqërisë civile. Këto nënkuptime, shprehen kryesisht me brohoritjet « ndarje e fesë nga shteti » , « mos përzierje e shtetit dhe fesë » etj., dhe shpërfaqen në tone të ngurta, në tema të caktuara. Por, në anën tjetër, ruhet indiference e tërësishme rreth disa temave të tjera (të mëposhtme) të cilat do duhej të ishin shkas për diskutime më substanciale dhe konsistente rreth laicitetit të shtetit.

∗ ∗ ∗ 

Ka një seri rastesh të cilat do duhej të gjallëronin diskutim serioz për laicitetin politik të shtetit dhe përviedhjen ideologjike të ’laicitetit’ në diskursin publik. Raste të cilat përndryshe, me vite kanë kaluar në heshtje. Jo çuditërisht, në klimën e krijuar në Kosovë, laiciteti i përfytyruar i funksionarëve të shtetit dhe një pjese të konsiderueshme të shoqërisë civile aktive  shfaqet si parzmore kundrejt armiqve të përfytyruar. Laiciteti përvidhet si një “Kalë Troje”, për të shprehur qëndrime ideologjike të cilat ndryshe do karakterizoheshin me emërtime të tjera.  Për shembull flitet për laicitetin e Shtetit, për ndarjen e shtetit nga feja, për mos përzierjen e shtetit me fenë etj., ekskluzivisht atëherë kur bëhet fjalë për shaminë, integrimin e FSI-së në trupën e Universitetit të Prishtinës, diskutimet për futjen e mësim-besimit në shkolla etj. Laiciteti mund edhe të shpërfillet me ide thellësisht të pakuptueshme rreth vet termit,  kur profesorë të shkencave shoqërore në Universitetin e  Prishtinës si  Sibel Halimi, thërrasin shtetin që të ruaj sekularitetin e hapësirës publike” pasi që Rexhep Qosja dhe Shefqet Krasniqi të jenë takuar diku. Një qëndrim po aq të përçudnuar ndaj laicitetit të Shtetit ka ndarë me publikun edhe Blerim Latifi, profesor i Filozofisë në UP, ish-këshilltar i ish-kryeministrit Hashim Thaci, dhe tani këshilltar i kryeparlamentarit Kadri Veseli.. Ngjashëm  funksionari i Shtetit laik, asokohe zëvendëskryeministri Petrit Selimi,  konsideronte se është shkelje e laicitetit kur ushtari i FSK-së çon gishtin përpjetë ngase kjo qenkëshe ritual kolektiv, njëfarë shprehje rituale e islamizmit në hapësirat e institucionit publik të ushtrisë. Por pothuajse asnjëherë në këto diskutime nuk është shpalosur  kuptimi real i principit të laicitetit, megjithatë, në këtë diskurs ai duket se nënkupton një princip kufizues e luftarak karshi feve, e në kontekstin e Kosovës, jo karshi feve, por karshi ndonjë feje të caktuar, meqë shfaqet ekskluzivisht në raport me të. Le ti themi fillimisht këtij laiciteti të përfytyruar, “laicitet muskulor’, si një formë e “laicitetit si  ideologji”  i cili paramendon zhveshjen e kontaktit të religjionit apo metafizikës me sferën publike; një ligjërim i cili ushtrohet si formë e shtyrjes së laicitetit si botëkuptim e jo si parim institucional i rregullimit të shumëllojshmërisë së bindjeve jetike; një laicitet i cili shtrohet si ideologji më shumë sesa përpjekje për rregullim të pluralizmit, e që mbase më se miri përshkruhet në librin tashmë klasik, por vazhdimisht të rëndësishëm,  të Harvey Cox-it “The Secular city” (1966), ku ai laicitetin (e tillë muskulor e ideologjik) e përshkruan si përpjekje për “çlirimin e njeriut nga tutela fetare dhe metafizike dhe përqendrimin e vëmendjes së tij nga botë të përtejme drejt vëmendjes mbi këtë bote” (faqe 17). Militantizmi i një laiciteti të tillë ideologjik pasqyrohet më së miri në thirrjen “mbani fenë në shtëpitë tuaja” , apo “feja duhet të mbahet vetëm brenda shtëpisë’ etj. Megjithatë, “laiciteti muskulor” si ligjërim mbizotërues në Kosovë (përveç disa përjashtimeve) , nuk është krejtësisht i tillë për dy arsye: së pari, ai nuk kërkon reduktimin e tërësishëm të fesë në sferën private (përveç nëimplikimet e dëshrave të çuditshme si ajo e pedagoges së UP-së , znj. Halimi, që kërkon nga shteti të ruaj sekulaitetin e jetës publike; apo qarqe thellësisht ideologjike të cilat konceptojnë laicitetin si shpatë të një ‘kryqëzate  anti-fetare” ); së dyti, ky diskurs kosovar nuk ka për qëllim fenë par se, pra religjionin si të tillë, por fe të caktuara, apo shprehje të caktuara religjioziteti. Diskursi i tillë shfaqet ekskluzivisht në raport me Islamin. Islami pra është Tjetri i këtij diskursi, dhe jo religjioni si i tillë. Gjë që  realisht e shndërron këtë ligjërim në një ligjërim më të ngjashëm me ‘kemalizmin’ , si një ideologji laikarde drejtuar një objekti të caktuar, këtu, një feje të caktuar.

Si instrument ideologjik, një laicitet i tillë nuk është laicitet ngase i mungon konsistenca në të cilën thirret. Kur thuhet se i mungon konsistenca, mendohet se karakteri i tij luftarak përfundon tek disa raste krejt të veçanta, ku protagonist janë “radikalët islamistë” , shënjues që tashmë nënkupton  religjiozitetin e myslimaneve. Në Kosovë ka raste të ndryshme të cilat meritojnë problematizim të vërtetë dhe debat publik në raport me  parimin e laicitetit dhe neutralitetit të Shtetit. Për shembull, protagonistët e zellshëm dhe zëshëm të laicitetit muskulor, (qofshin funksionarë Shteti apo shoqëri civile) kur është fjala për mësimin e  fesë (apo për fenë) në shkolla, asnjëherë nuk kanë ngritur çështjen e mësim-besimit ortodoks në shkollat publike serbe të Kosovës, aq më shumë që kjo bëhet me plan-programe të cilat i ikin krejtësisht kontrollit të institucioneve të edukimit të Kosovës. Raste të ngjashme, trajtime të ndryshme. Ngjashëm, asnjëherë nuk është zënë në gojë fakti se Filarmonia e Kosovës, që është një institucion publik në përmbajtjet e saja orkestron këngë liturgjike të krishtera si “Ave Maria”, “Magnificat” apo “Agnus Dei” etj. Prezenca e simboleve të një feje në muret e hapësirave të institucioneve publike, figura shenjtorësh e liderësh fetar etj., qarkullimi  i librave dhe fletushkave proselituese të misionarëve evangjelik nëpër shkollat publike etj. nuk kanë ngjallur asnjëherë debate të cilat do të zgjasnin për disa ditë rresht. Kundrinori i laicitetit si folje, bie vetëm mbi disa, por jo mbi të gjithë. Ironikisht, disa nga këto raste, pas lajmeve, janë përmendur vetëm nga disa portale margjinale, kryesisht me profile fetare, ndërkaq janë injoruar tërësisht nga liberalët e po ashtu edhe nga laikardet e laicitetit si ideologji.

Në parim, këngët liturgjike ne Filarmoninë e Kosovës nuk shkelin laicitetin e Shtetit, nëse vendosim të përvetësojmë një ‘laicitet të hapur’. Por karshi një ‘laiciteti muskulor’ i cili bën thirrje që Shteti të ruaj hapësirën publike nga takimet e njerëzve me hoxhallarë (znj. Halimi), vështirë është që një praktikë e tillë të kapërdihet, përveç nëse motivet e muskulores së parë janë krejtësisht ideologjike dhe i drejtohen një objekti i cili përfytyrohet si qenësisht ‘i dhunshëm’, ‘i rrezikshëm’,  ‘arkaik’, apo ‘i prapambetur’, siç përfytyrohet në ligjërimin kulturalist të orientalizmit shqiptarë. Por këto raste dhe të tjera do të duhej të reflektonin “problem për  laicitetin” e  bartësve të “laicitetit muskulor’ nëse ata duan të jenë konsistent me laicitetit të tyre, ngase në diskursin e tyre ngritën  probleme krejt të ngjashme kur protagonistë janë “ata të tjerët”, pra ata “të rrezikshmit”. Kështu p.sh. kur dikush refuzon idenë e çfarëdolloj edukate mbi/për fenë në shkolla publike në emër të laicitetit , ai/ajo duhet domosdoshmërish të ketë qëndrim kritik apo  refuzues edhe ndaj favorizimit të komunitetit ortodoks serb në këtë segment. Ka dy qëndrime të cilat, në këtë temë, janë legjitime vis-a-vis laicitetit të Shtetit: i pari është qëndrimi i refuzimit të përgjithshëm të mësimit rreth/mbi/për fenë  në shkollat publike (neutralitet përmes kufizimit) apo i dyti, lejimi i ndonjë lloj mësimi rreth/për/mbi fenë në shkolla publike për të gjithë njëlloj. I vetmi qëndrim i cili bie ndesh me laicitetin në çdo pikëpamje është : ndalimi për të gjitha komunitetet tjera i asaj që i lejohet një komunitet të vetëm (komunitetit ortodoks serb). Meqë laiciteti është krejtësisht i lidhur me paanshmërinë dhe me respektin e barabartë të qytetareve dhe komuniteteve botëkuptimorë, ky qëndrim bie kryekëput ndesh me këto dy të tjerët. Këtu shkelja përfillet në formën e shkeljes së neutralitetit apo paanësisë së Shtetit ndaj komuniteteve botëkuptimore. Është krejt kontradiktore të refuzohet mbi baza “kushtetutore” mësim-besimi në shkolla publike për komunitetin katolik e mysliman, ndërkaq përjashtim i paarsyeshëm dhe i paqëndrueshëm ti behet komunitetit ortodoks të Kosovës. Ligji i cili do të krijonte një ndarje të tillë nuk përkon aspak me parimin e paanshmërisë ndaj feve dhe bindjeve. P.sh. një ligj për ndalimin e mësim-besimit në shkolla, nuk është i justifikueshëm atëherë kur një praktikë i lejohet një komuniteti (serb) ndërkaq iu ndalohet komuniteteve të tjera ngase i trajton në mënyrë të pabarabartë komunitetet të cilat shteti do duhej, idealisht, ti trajtoj baras. Ligji i tillë mund të përvidhet eventualisht për dy arsye: për shkaqe ideologjike ku dëshirohet kufizimi i disave dhe liria e vetëm disa të tjerëve, apo kur vet Kushtetuta ngërthen kontradikta të qenësishme në tekstin e saj kur në një anë obligon shtetin me ‘paanshmëri’ ndaj feve, dhe në anën tjetër ofron trajtim të privilegjuar për një komunitet në veçanti (atë serb).

∗ ∗ ∗

Krejtësisht jashtë radarit të ‘mbrojtësve të laicitetit’ ka kaluar edhe një aktivitet i cili për vite me radhë organizohet në shkollat publike të qytetit të Gjakovës. Një video e postuar nga një mik i imi nga Gjakova, më pati shtyrë që të interesohem më tutje rreth aktivitetit. Sivjet, me datën 1 Korrik, në të njëjtin qytet, tashmë me një udhëheqësi të ndryshme, është mbajtur edicioni i radhës i karnavalit “Kërce…kërce…kërce”. Ky aktivitet organizohet nga shoqata Service International, një organizatë humanitare evangjelike. Service International ka ofruar shërbime dhe aktivitete të ndryshme në qytetin e Gjakovës, duke filluar prej sensibilizimit për higjienën dentalë në shkolla dhe asistencës stomatologjike profesionale menjëherë pas luftës e deri tek aktivitete të tjera të një karakteri krejtësisht laik/humanist. Ndërkaq, aktiviteti “Kërce”, i cili për vite me radhë gëzon mbështetjen e drejtpërdrejtë të Komunës së Gjakovës, dhe që organizohet në oborre shkollash publike apo në hapësirën e gjerë publike, përskaj aktiviteteve të karakterit laik integron komponentin proselitues dhe fetar. Në aktivitetin e vitit 2008, koncertin në qendrën e qytetit e kishte hapur pastori Jeff Perry, i cili qe ngjitur mbi skenë për “të predikuar”, siç thotë  një raporti i shkurtër i SI. Ndërkaq, video-publiciteti i aktivitetit nëpër shkollat publike, të mbështetur nga Komuna e Gjakovës,  të vitit 2012, 2013, 2014 dëshmon së përveç ligjërimit proselitues, në tendat e vendosura në oborret e shkollës është ushtruar edhe aktiviteti i pagëzimit të disa prej pjesëmarrësve.


Në princip, aktivitetet sekulare të shoqatave fetare nëpër shkolla nuk shkelin laicitetin e shkollës për aq sa ato nuk karakterizohen me përpjekje proselituese. Në fakt shumica e organizatave humanitare që operojnë në botë janë me inspirim fetar. As predikimi i pastorit apo pagëzimi nuk është në konflikt me parimin e laicitetit nëse kjo do ndodhte në ndonjë hapësirë përtej shkollës.  Por aktivitetet e karnavalit të SI, e cila është edhe nënë ndërkombëtare e Bashkësisë Ungjillore  Protestante të Kosovës (Bashkësisë ‘Familja’ në Gjakovë), janë aktivitete të karakterit proselitues të mbështetura nga komuna e Gjakovës. Fakti se një pjesë e këtyre aktiviteteve mbahen në oborrin e shkollave publike të qytetit është skandaloze, qoftë për nocionin e laicitetit të hapur, e aq më shumë për laicitetin muskulor. Ka dy shkelje flagrante të laicitetit të Shtetit në aktivitetet me përmbajtje të tillë. Komuna dhe Shkolla bëjnë shkelje të dyfishtë në lejimin e pakontrolluar të aktiviteteve të karnavalit “Kërce”! Shkelja e parë është natyrisht lejimi i misionarizmit fetar aktiv në shkollat publike të Kosovës, dhe shkelja e dyte është mbështetja aktive e Komunës në një aktivitet të tillë i cili del përtej kornizës “kulturore-sportive” dhe merr karakter “misionar” e “proselitues”. Por gjithsesi, kjo sikurse edhe aktivitete të tjera komprometuese për neutralitetin e Shtetit, nuk paraqet ‘shqetësim’ për partizanët e ‘laicitetit muskulor” që në realitet nuk është laicitet për shkak të mungesës së konsistencës dhe për shkak të jo-neutralitetit që ngërthen në vetvete. Service International nuk është fare objekt i kritikës këtu, meqë organizatat fetare me karakter misionar shfrytëzojnë hapësirën e cila iu ofrohet. Problemi është në atë se si dhe mbi çfarë bazash Komuna, apo Shteti, lejojnë aktiviteteve të tilla, dhe në atë se si aktivitete të këtij lloji kalojnë krejtësisht pa shkaktuar kokëçarje tek flamurtarët e ‘laicitetit muskulor”. Shteti  dhe mungesa e paanshmërisë nga ana e tij është objekti ynë kryesor,  dhe aktorëve të zëshëm që insistojnë në “ndarje”. Përveç mbështetjes së drejtpërdrejtë të Komunës dhe drejtorisë së Arsimit të Gjakovës, edhe policia e Gjakovës duket se ka mbështetur dhe përshëndetur aktivitetet në fjalë. Siç mund të shihet në videon vijuese, Diana Qarkaxhija dhe shefi i policisë, përshëndesin solemnisht aktivitetin.

Kjo mbështetje institucionale që jep Komuna për aktivitete të cilat përmbajnë karakter proselitues do duhej të ngjallte diskutim të rëndësishëm rreth (jo)laicitetit të shtetit. Kjo ngase laiciteti është princip institucional. Individi në shkollë apo në institucione publike, duhet të jetë i lirë në religjiozitetin e tij, qoftë mësimdhënës apo nxënës. Religjioziteti i mësimdhënësit garantohet parimisht nga laiciteti për aq sa ai nuk është religjiozitet ‘aktiv’ dhe proselitues, ku mësimdhënësi ushtron proselitizem mbi nxënësit (kjo parimisht vlen edhe për mësimdhënësit ateistë, të cilët i nënshtrohen të njëjtës rregull). Ndërkaq religjioziteti i nxënësit është gjithnjë ‘pasiv’ ngase ai nuk është autoritet dhe religjioziteti i tij nuk ushtrohet në mënyrë aktive dhe autoritare mbi të tjerët. Ndërkaq, ushtrimi i aktiviteteve fetare, proselituese nga shoqata të ndryshme apo autoritete të tjera, në ambientet e shkollës, konsiston në problem për laicitetin e shkollës publike. E kur shoqata të veçanta mbështeten direkt nga institucionet publike politike, problemi thellohet edhe më shumë.

Në fakt, ky nuk është aktiviteti unik i përzierjes së aktiviteteve misionare në shkolla publike në Kosovë. Këto ditë, qarkullonte edhe një video e cila tregonte për shpërndarjen e dhuratave për Krishtlindje në shkollën fillore ‘Ismail Qemajli’ në Prishtinë. Në videon në fjalë, Sara, e cila kishte ardhur për të shpërndarë dhuratat, u thotë fëmijëve të cilët nga videoja duken të jenë 7-8 vjeç se dhuratat janë dërguar nga të “krishterë të cilët donin tu jepnin dhuratë juve” , duke u shpjeguar atyre se “ne festojmë Krishtlindjet, festojmë lindjen e Jezuit” dhe se kjo është përse i japin dhurata njëri tjetrit. Nuk e di se cilës shoqatë misionare i takon Sara, por në Kosovë ka vite që aktivitete të tilla misionare ushtrohen mbi fëmijë dhe gëzojnë mbështetjen e institucioneve publike dhe nuk trazohen nga mbrojtësit e laicitetit të Shtetit. Që nga viti 1999, një organizatë tjetër humanitare krishtere “Samaritan’s Purse”, dërgon dhurata për Krishtlindje nëpër shkollat publike të Kosovës. Në gazetën e saj informative The Evangel” të muajit tetor 2014, ajo tregon se si “infantria ungjillore’ e shoqatës, shpërndan dhuratat e Krishtlindjeve për fëmijët e Kosovës në shkollat publike. Një hyrje më koncize mbi punën misionare evangjelizuese të organizatës në fjalë mund të lexohet libri “Operation Christmas Child: A story of simple gifts”. Operacioni në fjalë është i koordinuar nga Kisha Protestante e Kosovës, dhe me vite të tëra ka pasur mbështetjen e drejtpërdrejtë të Komunave dhe Ambasadës Amerikane në Kosovë , siç mund të shihet këtu kur zëvendës shefja e Misionit, Kelly Dognan, shpërndante dhuratat e Krishtlindjes për fëmijët e shkollës “Fazli Grajqevici” në Mitrovicë vitin e shkuar. Më shumë se kaq, organizata në fjalë ka qenë objekti i një kontroverse të madhe në SHBA, lidhur më karakterin misionar e konvertues të aktiviteteve të saja të bëra nën petkun ‘humanitar’, për të cilin qysh atëherë ka raportuar The New York Times. Për më tepër, presidenti i organizatës Samaritan’s Purse është pastori fanatik e fashist Franklin Graham, i cili në raste të shpeshta ka shfaqur opinione islamofobike dhe raciste në SHBA të cilat janë kritikuar rreptë nga liberalët amerikan. Imagjinoni për një moment, një shoqatë humanitare islamike, e cila për president ka një imam fashist e kristianofob të rryer, duke ndarë dhurata për Bajram në shkollat publike të Kosovës !

Sivjet dhurata për Krishtlindjet ka përgatitur edhe shkolla private krishtere Bethany , e cila do i shpërndaj ato përmes programit “Christmas Shoeboxes” të organizatës krishtere Smile International (e cila ndër për të interesuarit në pjesëmarrje të projekteve të saja, përveç shtetësisë britanike ka edhe dy kushte: të qenit i krishterë i devotshëm, dhe i aktiv në një kishë lokale në Mbretërinë e Bashkuar). Këto dhe aktivitete të ngjashme kalojnë pa asnjë pengesë kufirin e laicitetit të Shtetit në Kosovë dhe të zellshmit e ‘laicitetit’ të njëanshëm, qëndrojnë krejtësisht indiferent ndaj aktiviteteve të tilla.

∗ ∗ ∗

Ky favorizim apo tejçmim i dukshëm i krishterimit karshi botëkuptimeve të tjera mbi jetën, nga institucionet e Shtetit (‘plejada’ e shembujve është shumë më e gjerë se ajo që kemi sjellë)  e bën Kosovën shtet katolaik. Kato-laiciteti është një neologjizëm i filozofit frëng Edrgar Morin, që përshkruan një lloj ‘kolaboracionizmit’ të Shtetit me krishterimin, edhe pse ky tekstualisht garanton distancën  dhe respektin e barabartë të Shtetit ndaj botëkuptimeve fetare e afetare. Ky term, në veprat mbi laicitetin përdoret kryesisht duke iu referuar disa Shteteve evropiane të cilat kanë një trashëgimi krishtere (Franca, Spanja etj.), çfarë e bën Kosovën (e mbase deri diku edhe Shqipërinë) rast unik në raport me termin, e mbase rast për të cilin nevojitet një neologjizëm tjetër. Ka se paku tri arsye përse Shteti i Kosovës mban qëndrime të tilla dhe përse liberalët qëndrojnë pothuajse krejtësisht indiferent ndaj politikave të tilla. E para, që lidhet me shtetin, është e shprehur më së miri në momentin kur Presidenti i atëhershëm i Kosovës, Fatmi Sejdiu, në prag të ndërtimit të katedrales, i pyetur në zyrën e tij se përse ndërtohej Katedralja në një qytet ku ka aq pak katolik, ishte përgjigjur “Sepse na kanë ndihmuar”, duke iu referuar Amerikës, e duke injoruar se Amerika është një shtet me trashëgimi protestante i cili deri vonë ka diskriminuar katolikët në gjirin e sajë. Arsyeja e dytë, që lidhet më shumë me indiferencën e shoqërisë civile ndaj mungesës flagrante të neutralitetit të Shtetit të Kosovës, është fakti se një pjesë e madhe e aktiviteteve misionare krishtere në shkollat publike në Kosovë gëzon bekimin e drejtpërdrejtë të Ambasadës Amerikane apo ambasadave evropiane të cilat kanë lidhje me Organizatat e ndryshme misionare të cilat veprojnë në Kosovë, dhe liberalët kosovar ka vite që kanë kultivuar një kulture nënshtrimi karshi këtyre autoriteteve supreme në Kosovë dhe kur këtyre autoriteteve nuk u refuzohen as kompromise e ndërhyrje edhe me skandaloze në jetën politike të Kosovës, është vështirë të paramendohet ndonjë ‘notë proteste’ për ndërhyrjen e tyre në sferën e fesë. Dhe arsyeja e tretë, por jo e fundit, e cila ka të bej edhe me qëndrimin jo-neutral të Shtetit edhe me indiferencën e shoqërisë civile dhe laikardwve ideologjik, është vazhdimësia ngulmuese e prej më shumë se dy dekadash e  ligjërimit thellësisht turbullues për ‘kthim në fenë e të parëve” , apo për “kthim në rrënja”, ligjërim tipi i orientalizmit bashkëkohor shqiptare i cili dëgjohet sa nga funksionar të Shtetit aq edhe nga aktorë të shoqërisë civile.

Janë disa gjëra të cilat duhet marrë në konsideratë kur mendohet laiciteti politik. Ai nuk është një parim i cili ka për qëllim kufizimin e fesë, e aq më pak luftimin e saj. Ai është një parim i cili synon rregullimin e strukturave politike në atë mënyrë që të sigurohet jeta e përbashkët midis komuniteteve të ndryshme besimtare dhe jobesimtare, botëkuptimeve të llojllojshme mbi jetën. Është një nocion i merr kuptimin e tij vetëm atëherë kur  praktikohet me preokupimin për të ruajtur lirinë e ndërgjegjes dhe respektin e barabartë të qytetarëve. Laiciteti i vendos rregullat e lojës dhe limitet e saja, aq sa të siguroj jetesë në paqe të komuniteteve botëkuptimore të cilat përndryshe do ta kenë të vështirë bashkëjetesën. Kur shteti prish rregullat e kësaj loje, ai i jep jetë reaksionit. Komunitete të ndryshme të cilat mund të jene subjekte të politikave të padrejta të laicitetit në një hapësirë të caktuar, siç janë p.sh. komuniteti ateist apo mysliman, ndaj të cilëve shteti nuk ruan neutralitetin, mund të tërheqin reaksion ndaj politikave të tilla e shpesh edhe mund të fillojnë të konceptojnë ‘laicitetin’ e tillë si nocion i cili thellësisht drejtohet ‘kundër tyre’ , atëherë kur nocioni gjeneron trajtim të pabarabartë. Preokupimi për një shtet laik të hapur, është preokupim që synon ruajtjen dhe gjallërimin e larmisë botëkuptimorë. Laiciteti synon maksimizimin e të drejtave të të gjithëve. Ai është nocion i cili rregullon me përpjekje të akomodimit të barabartë, e jo me përpjekje të shuarjes.

R. Skopi

Mund të ‘riprodhohet’ me kusht të shenimit përcjellës me burimin “Marrë nga: [referenca; linku]” .

Advertisements
Standard

2 thoughts on “Gramatika e laicitetit kosovar. Kundrinori i zhdrejtë i laicitetit të Kosovës, Krishtlindjet dhe shkollat publike

  1. Pingback: Laiciteti selektiv! | Diary of Tirana

  2. Pingback: Dy-tri fjalë për të folurit rreth fesë | religjioskopi

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s