Dy-tri fjalë për të folurit rreth fesë

Në Kosovë, sikur në shumë vende të tjera, pas atentateve në Paris u diskutua për fjalën e lirë. Por këtu nuk do të merrem me diskutimet liberale rreth fjalës së lirë dhe kufijve të saj  të parapara në Kushtetutë në terma që ofrojnë hapësirë të gjerë interpretimi dhe as  me kontradiktat logjike që e kanë përcjellë diskutimin mbi fjalën e lirë në Kosovë. Këtu do të përpiqem të shtjelloj  problematikën e ligjërimit gazetaresk, njëanëshmërinë e tij në shtjellimin e çështjeve te sociologjisë se fesë  si dhe me manifestimet e mosnjohurisë elementare mbi disa nocione  fetare  në diskutimet rreth saj. Ndjekësi i mediave tona e kupton, natyrshëm, që diskutimet rreth fesë në Kosovë sillen kryesisht rreth fesë Islame dhe rrjedhimisht ky blog detyrimisht  duhet t’iu referohet këtyre diskutimeve. Blogu do të sjellë në të ardhmen edhe shkrime kritike për ligjërimin fetar në Kosovë dhe variacionet e përdorimit të fesë nga aktorë të ndryshëm të shoqërisë kosovare. Do të filloj me atë që është më e freskët. Arbana Xharra, kryeredaktore tek Zëri, në profilin e saj të facebook-ut  kishte postuar lajmin rreth shpërndarjes së materialeve fetare nga njëra prej qindra shoqatave fetare që ekzistojnë në Kosovë,që shpërndajnë literaturë fetare në sheshin Nënë Tereza së paku një herë gjatë javës, aktivitet i cili mbi të gjitha  garantohet me ligji, në kufijtë e tij të paraparë (Kushtetuta e Kosovës parasheh kufizimin e lirive fetare për të garantuar “mbrojtjen e sigurisë dhe rendit publik, të shëndetit, ose të të drejtave të personave të tjerë” Neni 38/4 , apo “për parandalimin e nxitjes dhe provokimit të dhunës dhe armiqësive në baza të urrejtjes racore, kombëtare, etnike ose fetare” Neni 40/2 Ligji për liritë fetare). Vëreni më poshtë cili është  opinioni i kryeredaktores së gazetës, znj.Arbana Xharra: 10920262_10153097163408109_2001916233350466561_o

Nuk dihet ende saktësisht se përse i është penguar propagimi fetar kësaj organizate, prandaj edhe nuk do të spekulojmë. Por ajo që  dihet është se një pengese të tillë nuk i janë nënshtruar deri më tani shoqatat e lloj-llojshme evangjelike e mormone të cilat prozelitojnë lirshë tek sheshi. Ajo që na intereson është ndërlidhja që znj.Xharra i bënë në mënyrë të drejtpërdrejtë propagandimit të fesë dhe ikjes në Siri. Ka me siguri shumë për tu thënë rreth FRM-së dhe diskursit të tyre (e ketë me siguri do ta bëjmë edhe në këtë blog) , por me aq sa dimë, FRM është shoqatë e ligjshme, e cila mund dhe duhet të kritikohet, por që kurrësesi nuk është ndaluar apo mbyllur për shkak të lidhjeve të saja me Sirinë. Xharra i quan ata ‘qelbësira’  dhe vështirë është të paramendohet që pas këtij qëndrimi të kryeredaktores, gazeta në fjalë të ndjekë raportim të paanshëm ndaj atyre që kryeredaktorja ka kategorizuar si të tillë. Ndërlidhja që kryeredaktorja i bën këtij kufizimi ,në fakt, është skandaloze. Së pari, sepse ndalimi i propagandimit të fesë në hapësirën publike, për aq sa kjo është në kufijtë e paracaktuar, është shkelje e të drejtës për të shfaqur lirshëm besimin dhe vlerat e tua e për të thirrur të tjerët në to . Së dyti, për shkak se ajo ngarkon me përgjegjësi të rëndë penale një entitet të cilin forcat e rendit nuk e kanë ngarkuar me një përgjegjësi të tillë (siç duket FRM kishin edhe leje për aktivitetin e tyre). Znj. Arbana Xharra, realisht do të mund të dënohej për shpifje për akuzat me përgjegjësi penale që ngre FRM-së nëse ajo nuk do mund të ofronte evidence për këtë, e nëse evidenca do ofrohej, atëherë do duhej filtruar me ligj FRM-ja. FRM mund të ketë thyer ndonjë rregullore (p.sh. kohëzgjatjen e lejuar etj), por premisat me të cilat ngritët zonja Xharra nuk mirren me këte dhe e bëjnë këtë jo relevante dhe kjo assesi nuk e justifikon vrapimin e kryeredaktores pa sqarimin e situatës. Duket sikur gazeta dhe kryeredaktorja e saj kanë  problem  faktin që fletushkat u janë shpërndarë fëmijëve dhe se atyre u bëhet shpëlarje truri por në fakt, në Kosovë bëhet çdo ditë shpëlarje truri, dhe kjo nuk është ilegale dhe s’mund të jetë ilegale, sepse sikur të ishte ashtu, do të kufizoheshin jo vetëm FRM-ja por edhe vet gazeta Zëri, e mbase shumica e mediave dhe entiteteve të tjera nga shoqëria civile, përfshirë edhe dhjetëra shoqata tjera fetare të cilat u propagandojnë  fenë fëmijëve dhe të rriturve, madje siç kemi përmendur në këtë blog, edhe nëpër shkolla, me bekimin e Shtetit dhe ambasadës Amerikane. Propagimi i fesë në hapësirën publike nuk është i ndaluar dhe privatizimi me koercion shtetëror i fesë kuptohet sot si totalitarizëm (këtë dëshirë për privatizim të fesë e shpreh edhe Adriatik Kelmendi, i cili në anën tjetër reagon me të drejtë kundër mungesës së paanshmërisë së organeve të rendit në këtë rast. Të shpresojmë se Adriatiku do të problematizoj më tutje këtë mungesë neutraliteti të Shtetit, i cil është problematizuar në këtë blog më parë, këtu). Një lexues i kujdesshëm do ta vërente menjëherë “lojën”  keqshqiptuese në tekstin e lajmit të gazetës Zëri. Në raportimin e lajmit gazeta thotë se FRM-ja e kishte quajtur këtë aktivitet “Profeti Muhamed, mësues i ndërzimit”.  Është e vështirë të mendohet që këtu është kryer një gabim teknik midis fjalës “njerëzimit’ dhe “ndërzimit” , ngase në tastierën poshtë ekranit ku ju po lexoni, shkronjat e gabuara janë larg njëra tjetrës. Por lexuesi mbase nuk e di se ç‘kuptim ka folja “ndërzej” dhe këtë do na e shpjegoj Fjalori i Gjuhës Shqipe, i cili e definon “1. Bashkoj femrën e një kafshe shtëpiake me mashkullin, me qëllim që të shtohen ; 2. Mbars” , ai që bën me barrë(për kafshët).  Në një raportim lajmesh, rrëshqitja vështirë e paqëllimshme e një terminologjie të tillë jo vetëm se e bën gazetën tendencioze, por edhe ofenduese për myslimanët. Raportimi nuk është satirë, e mbase gazeta iu ka borxh myslimanëve një kërkim faljeje. Por t’i lëmë pak vend dyshimit. Gazeta Zëri dhe kryeredaktorja e saj mbase duhet të  çideologjizohen në raportimet e tyre dhe t’i  shërbejnë publikut me paanshmëri. Ka një mori rastesh  në të cilat kjo gazetë e disa gazeta tjera dëshmojnë keqinformim skandaloz. Por kur është fjala për religjionin, duket se ka një përvuajtje për njohuri fare elementare rreth nocioneve të fesë mbi të cilat duhet me doemos të kihen njohuri të mirëfillta kur fillojmë e shkruajmë, në mënyrë që kredibiliteti ynë të mos vihet në pikëpyetje. Duhet pasur kujdes që aty jashtë të mos krijohet përplasje dhe përçmim nga mediat, ngase mungesa e paanshmërisë vetëm sa rrit shtypjen dhe ndjenjën e saj, dhe pothuajse me konsensus, ne studimet e radikalizmit kjo shihet si njëri nga nxitësit e tij. FRM ndjek shpesh në ligjërimin e tij këtë rrugë përplasjeje e cila është po aq e shëmtuar dhe që qëndron në raport ndërushqyes me autoritetet të cilat janë dhe veprojnë njëllojshëm. P.sh. në një prononcim të raportuar nga gazeta Zëri, Avni Zogiani nga shoqëria civile, thotë se “Ka pasur burgosje masive të imamëve me orientim fetar”. Besoj se kjo është një lapsus nga z.Zogiani të cilit me siguri edhe ai kur e ka lexuar, apo kur e lexon, ia sheh palogjikshmërinë pasi nuk ka imam pa orientim fetar.  Në një debat publik tek emisioni Target, zonja Elviana Berani, ligjëruese në njërin nga universitetet e shumta të Kosovës, thotë se ‘beduinët’ janë ‘hindus, të Indisë, rrymë, kastë” (nga minuti 53 e tutje), apo sa për të kujtuar konfuzionin e Jeta Xharrës në njërën nga pyetjet e saja “ju a jeni wehabiste apo selefiste”. Apo paraqitjen e vazhdueshme nëpër emisionet publike, të hoxhallarëve si ‘teologë’. Jo çdo hoxhë është teolog, dhe me sa unë kam njohuri, në Kosovë nuk ka hoxhë i cili ka studiuar teologjinë, e cila është një departament i veçantëi studimeve që i referohet studimit sistematik e racional të konceptit të Zotit dhe natyrës së të vërtetave fetare, siç e përshkruan në mënyrë të thjeshtë edhe Wikipedia. Dega në të cilën studiohet teologjia në traditën islame është  ‘Kelami’, dhe në njohuritë e mia, asnjë hoxhë në Kosovë nuk ka studiuar ‘kelamin’ . Ata kanë studiuar kryesisht legjislacionin islam, metodologjinë, traditën profetike, thirrjen etj. Ata duhet të paraqiten me këta tituj, apo me titujt e tyre profesionalë. Prandaj është gabim që atyre t’u referohet si ‘teologë’ , sepse jo çdo klerik është ‘teolog’ dhe jo çdo ‘teolog’ është klerik apo besimtar. Ndryshe nga lapsusi i Zogianit, këto të tjerat nuk janë lapsuse, ato janë thjeshte mungese njohurie elementare mbi temat e përfolura. Me siguri shume nga ne bëjmë gabime të tilla, dhe rastet e radhës përpiqemi të jemi më të saktë e te kujdesshëm. Por me  kjo manifestohet në mënyrën më dramatike në shkrime të cilat pretendojnë seriozitet. Një shembull i freskët,  është shkrimi i gazetares Blerina Rogova Gaxha “Nën pushtetin e shehlerëve , ku autorja bën gafa trashanike të cilat janë të pafalshme për dikë që mund të ketë lexuar një libërth hyrjeje rreth Islamit apo misticizmit. Autorja konsideron se misticizmi është sekt shiit. Kjo është skandaloze edhe për dikë që  referencë ka Wikipedia-n. Misticizmi apo sufizmi Islam (tasavufi) nuk është ‘sekt’ e aq më pak ‘sekt shiit’ , por ka qenë dhe mbetet pjesë integrale e traditës Islame. Misticizmi islam është rrugë, angazhim, e ndërmarrje shpirtërore jashtzakonisht e gjërë e shtrirë në katër cepat e botës dhe në forma e variacione të shumëllojshme që shtrihen gjithandej, ehde i cili si traditë gjendet pothuajse ne çdo denominacon brenda Islamit, e prezenca e të cilës është e përhapur sa në sunizëm ashtu edhe në shiizëm ( traditë ekuivalente kanë lulëzuar edhe në Krishtërimin Katolik dhe Judaizëm por me emra të tjerë). Në njërin nëntitull (Sufistët karshi sunitëve) ajo e thekson atë qe përshkohet gati në tërë tekstin, se kinse këto dy nocione e tradita, janë në kundërshti dhe se ato janë në përplasje njëra me tjetrën, pra përjashtuese ndaj njëra tjetrës. Në fakt, zonjës Gaxha, i duhet shpjeguar se në Kosovë të gjitha rendet apo tarikatet, i takojnë traditës sunite, ose së paku vetëquhen si të tilla, përveç Bektashinjve të cilët thonë dhe pranojnë se janë tarikat apo rend shiit. Është mirë dhe e këshillueshme, që para se të shkruhet mbi tema të tilla, se paku të lexohet ajo pak literaturë mbi rendet e dervishëve në Kosovë (për shembull, librin e Jashar Rexhepagiqit “Dervishët, rendet dhe teqetë në Kosovë, në Sanxhak e në rajonet e tjera përreth, në të kaluarën dhe sot”, Pejë, Dukagjini, 1999, që të informohet fillimisht në aspektin konceptual e pastaj edhe atë social të temës për të cilën ka shkruajtur). R.Skopi Mund të ‘riprodhohet’ me kusht të shenimit përcjellës me burimin “Marrë nga: [referenca; linku]”

Advertisements
Standard

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s