Ereksione të (pa)zakonshme antifetare

E kam përcjellë me interesim ngjarjen rreth tokës së akorduar nga Komuna e Drenasit, për varrezat dhe kishën katolike të një komuniteti të vogël katolikësh në Llapushnik. Lajmi i djeshëm rreth shkatërrimit të rrethojës së varrezave të ardhshme (që duket të kishte ndodhur me datën 19-të), u përcoll më disa rafalë rreth ‘jotolerancës fetare të myslimanëve’ , ‘vehabizmit’ , ‘terrorizmit’ ,  ‘BIK-ut’ si prodhues i jo tolerancës etj. Është roli i këtij diskursi  që më intereson, si rast për të trajtuar (edhe njëherë) disa anomali rreth të folurit e të raportuarit për ‘fenë’ e për fenomenin e ‘fetarizimit të ngjarjeve’. Reprezentimi mediatik i ngjarjes në fjalë, shpërthimi i disa gazetarëve në prepozicione që ngritën e ndërtohen mbi disa predikate tashmë të konsoliduara në ‘gjuhen e medive’ dhe raporti i këtij ligjërimi në rastin specifik dhe në rastet tjera.

Disa qytetarë të Llapushnikut me datën 18-të kanë dalur për të protestuar kundër vendimit të komunës së Drenasit për ndarjen e parcelës së tokës në fjalë, të cilin ata e shohin si ‘të jashtëligjshëm’ (vë re gjuhen juridike). Deri me tash, protestuesit nuk e kanë identifikuar protestën e tyre me ‘myslimanllëkun’ e tyre, madje në një reportazh të shkurtër disa qytetarë të cilët u prononcuan theksuan se preokupimi i tyre ishte ndërmarrja e jashtëligjshme e komunës dhe se ata nuk donin assesi të prishnin raportet me komunitetin e vogel katolik, me të cilin thoshin se kalojnë mirë. Në reportazh, Izet Gashi, ‘përfaqësues i fshatit Llapushnik’ pasi shprehu shqetësimin e tij për ruajtjen e konvivialitetit tha për zonën ku është akorduar leja “na e këna shpalle si zonë të mbrojtur në vlera të luftës…..se këtu për një vit janë zhvillu ma s’pakti njëzet beteja luftarake’. Protesta e tyre pra, duket të ketë qenë para së gjithash protestë ‘qytetarësh’ të cilët qëllojnë të jenë ‘mysliman’, siç mund të qëllojnë të jenë në plot protesta , e jo një protestë ‘myslimanësh’ që qëllojnë të jenë edhe ‘qytetarë’. Megjithatë media portretizoi këtë protestë si një lloj kryqëzate myslimane kundër katolikëve dhe si prishje e ‘tolerancës fetare’. Koha Ditore dhe Gazeta Express vrapuan që ta ‘identitarizojnë’ çështjen:

express llapushnik koha ditore llapushnik

Këta tituj u shpërndanë nëpër portale dhe çështja u fetarizua. Pasuan komentet e disa gazetarëve të e opinionistëve në facebook, në maratonën për të thelluar muhabetin dhe me obsesionin për të identitarizuar ngjarjet :

Vehbi Kajtazi Besianaarbana varrezat talebaneskHalil Matoshi varrezat

Sa për një rezyme, Llapushniku është një fshat i cili ka vetëm 5 mij banorë. Jo shumë ‘largë në kohë’ Llapushniku është përfolur për konvertimin në katolicizëm të disa familjeve, ngjarje e ndjekur nga mediat tona, ku akti performativ i konvertimit publik qe emetuar edhe në televizionin publik të Kosovës, RTK. Të bëhemi bujarë e të konsiderojmë se në Llapushnik ka gjithsej 100 katolik, që do të thotë bujarisht rreth 2% . Krejt e natyrshme që protesta politike e cila duket se i referohet një çështjeje juridike ishte bërë nga qytetarë në cilësinë e qytetarëve, të cilët logjikshëm në një demografi të tillë s’kishin si mos të ishin edhe ‘myslimanë’ (edhe ‘burra’, edhe ‘nacionalistë’….). Por kjo është më pak e rëndësishme. E rëndësishme është se, mesa mbaj mend unë, është hera e parë që zhvillohet një ngjarje kësisoj rreth ‘varrezash’ komunitare në Kosovë . Kosova nuk ka pasur ndonjë kolektiv fashist kundër varrezave krishtere, siç ka pasur Solihuli i Britanisë së Madhe, Braxland Ridge i Australisë, Lausanne-a e Zvicres etj., e larg qoftë, s’kemi ngjasuar as me Madridin i cili vjet mbylli varrezën e vetme myslimane në rajon, e hë për hë, s’jemi bërë ‘kahre’ me veten që të kemi ndonjë ‘kuvendar’ si republikan Scott DesJarlais i Tennessee, në shtetin Zeus të lirisë, kur ky iu bashkëngjitë aradheve të bigotëve islamofobik për të kundërshtuar një varrezë myslimane. Krejt këto kundërshtime ishin substancialisht identitare, dhe për ata që kanë ndjekur ngjarjet, ligjërimi reaksionar i tyre ishte ka qenë i artikuluar me gjuhen e zakonshme të frikës dhe islamofobisë. Por ama në Kosovë, ka deputetë e qytetarë që më diskurs të ngjashëm me homologët e tyre britanik, amerikanë etj. kanë qenë kundër ndërtimit të xhamive, dhe kjo nuk është ‘pedatë’ asnjëherë nga ideologët gazetarë të jotolerancës. Në Prishtinë, një peticion i bërë kundër ndërtimit të xhamisë me leje, e pati bërë ministrinë e Mjedisit që të anuloj ndërtimin e saj në lagjen ‘Aliu’. Preteksti (i rëndësishëm për krahasim me kontekstin tone) i ministrisë: se procedura e dhënies së lejes për xhaminë është bërë pa u nxjerrë në diskutim publik.  Interesante koincidenca me artikulimet e protestuesve në Llapushnik. Për më tepër, iniciativa për kundërshtimin e xhamisë ishte bërë nga deputeti i PDK-së, Shaip Muja i cili kishte thënë se xhamia nuk do të ndërtohet pa ‘miratimin e banorëve’. Sikurse në raste të tjera, qartë ishte kërkuar që të ndalohet thirrja e ezanit në hapësirat urbane (Jakup Krasnqi). Kjo megjithatë nuk ka ngjallë ndonjë ‘shqetësim’ tek gazetarët e opinionistët, që duket të jenë homolog me qytetarët ankues.E as që eshte shqetesuar ndonjëri prej tyre kaq bujshem, ndaj lajmit për profanizimin e varrezave myslimane në Zvecan, qe supozohet të jetë bërë nga të perkdhelurit e Shtetit : strukturat paralele serbe.

Ne, me varrezat tona anash njëra tjetrës, e me kambanat e ezanët tona, mbase kemi diçka për ti dhënë asaj botës që rrah gjoks, dhe kjo jo për punë krenarie, por së paku sa për të grithur pak atë kompleksin tonë të inferioritetit që na ka reduktuar në , ekskluzivisht, ‘marrës’. Ka qindra komunitete qe vazhdojnë të kërkojnë copëza toke sa për të qenë ‘të barabartë (se paku) në vdekje’ , e dhjetëra të cilat nuk e kanë këtë barabarësi. Se paku tek ne, njerëzit janë të barabartë ‘kur vdesin’. Por ama ka dicka që vërtetë nuk është në terezi.

Katolikët, edhe dy veta në qofshin, kanë të drejtë që të kenë hapësirë për tu varrosur me ritualet e tyre dhe me ceremonitë e tyre. Deri tash nuk kam hasur në asnjë kundërshti rreth kësaj, që do të konsistonte në ‘përçarje’ apo ‘jotolerance’ alla evropiane. Në një reportazh tjetër të ofruar nga Gazeta Express protagonistët shprehen edhe një herë se ata nuk janë kundër ndërtimit të kishës, por janë kundër ndërtimit të ‘kishës apo xhamisë” në perimetrin e caktuar nga komuna.


Të gjithë të prononcuarit në këtë reportazh theksuan se janë që ajo zonë, që paskësh shenjtërinë e UCK-së për ta, nuk bën të jepet as për ndërtim kishë apo xhamie. Ata thanë se ishin PËR ndërtimin e kishës në fshatin e familjeve katolike dhe insistojnë në ‘zhvendosjen’ e pikës së akorduar. Edhe këtu, sikurse ne reportazhin e cituar më heret, krejt ndryshe nga vreri i atyre kundërshtarëve australian, britanik, amerikanë etj., qytetarët shprehin respektin për katolikët, thonë se nuk janë kundër kishës por janë kundër ‘kishës dhe xhamisë” ATY, në atë vend të veçantë, që për ta duket të jetë relikt i ‘shenjtë lufte’. Përveç një folësi i cili ishte kundër ‘kishës’ per se, të tjerët ishin për ‘zhvendosjen’ e saj nga ajo pikë e caktuar. Por gazeta Express, me strategjinë e ‘provoko dhe fito’ ( ‘gërvisht dhe fito’), kishte vendoset ti vendos këtë titull videos se publikuar:

dhune kishes expressQartazi, personi që përmendi ‘dhunën’ nuk ishte për ‘dhunë kundër kishës’, por për rezistencë edhe me dhunë kundër caktimit arbitrar të bërë nga komuna. Nëse dëgjoni prononcimin e tij në tërësi do të kuptoni se artikulimi ‘do të përdorin dhunën kundër kishës’, do të ishte sikurse të themi se një turmë katundarësh ‘do të përdorin dhunë kundër shkencës’ , sepse ata qenkan çuar për të kundërshtuar caktimin që komuna i ka bërë një territori për të zhvilluar eksplorime për uranium. E si mund të përdoret ‘dhunë kundër kishës’ kur kishë ende nuk ka ?

Siç e vuri në perspektive edhe Jusuf Thaci, ish-Drejtor i Arsimit në Komunën e Prishtinës, që është vet nga Llapushniku, cështja nuk është çështje ’fetare’, por është politike:

“ Taktizimi me fenë në Llapushnik

Tashmë u bë temë në nivel vendi kjo çështja e “Kishës së Llapushnikut”. Dhe siç ndodh gjithmonë tek ne, njerëzit flasin pa pasur informata se çfarë realisht po ndodh atje. Unë jam pikërisht nga Llapushniku dhe isha në fundjavë atje për të takuar njerëz dhe për të marrë informata më të sakta se çfarë realisht është duke ndodhur atje. Prandaj desha të ndajë me publikun këto informata dhe gjithashtu të jap dhe qëndrimin tim në lidhje me këtë çështje.

  1. Historiku dhe sfondi i problemit
    Llapushniku është fshat i Komunës së Drenasit dhe ka afër 5 mijë banorë. Prej tyre janë rreth 4-5 familje (rreth 30 banorë) që para ca vitesh janë deklaruar si katolikë, ndërsa pjesa tjetër janë myslimanë. Llapushniku nuk njihet si fshat me traditë të madhe fetare dhe pavarësisht se disa banorë kanë provuar që të ndërtojnë një xhami në këtë fshat që nga paslufta, fshati ende nuk ka xhami. Në anën tjetër, me kërkesën e Ipeshkvisë së Kosovës, Komuna e Drenasit ka ndarë një parcelë 2.5 hektarë për varrezat e katolikëve (në të cilën pretendohet të ndërtohet edhe një kishë katolike), por vendi i caktuar ka një simbolikë për Llapushnikun dhe luftën e fundit të UÇK-së. Banorët e fshatit kanë bërë peticion kundër ndarjes së kësaj parcele, por Komuna e Drenasit nuk e ka marrë parasysh. Tashmë ka filluar së ndërtuari muri rrethues i parcelës dhe banorët e fshatit kanë filluar të protestojnë dhe i kanë bllokuar ndërtimet. Me këtë rast janë shtrembëruar disa armatura dhe janë hequr disa gurë të murit, por nuk është e vërtetë se ka pasur konflikte apo kërcënime mes banorëve.
  2. Aspekti ligjor
    Ligji për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës (nr. 04/L – 144) parasheh që dhënia e pronës komunale duhet të bëhet përmes votimit në Kuvendin Komunal. Në rastin e Llapushnikut, nuk ka vendim të Kuvendit Komunal të Drenasit për ndarjen e kësaj parcele 2.5 hektarëshe. Nëse do të kishte një të tillë, atëherë komuna do duhej ta bënte publike, meqë vendimet e Kuvendit Komunal duhet të jenë publike. Nëse nuk ka një vendim të tillë (në këtë insistojnë të gjithë banorët e fshatit), atëherë vet ndarja e kësaj parcele është e kundër-ligjshme.
  3. Madhësia e parcelës në shpërputhje me nevojat
    Siç u përmend më sipër, në fshatin Llapushnik janë 4-5 familje që janë deklaruar si katolikë (rreth 30 banorë), ndërsa komuna ka ndarë parcelë 2.5 hektarë për varrezat katolike. Dhe pikërisht për këtë arsye banorët e Llapushnikut shtrojnë pyetjen se çfarë duhen 2.5 hektarë për varreza për 4-5 familje?! Madje, edhe nëse do të ndërtohej kisha, pse duhen 2.5 hektarë tokë?! Kosova ka me qindra xhamia dhe le ta gjejë dikush qoftë edhe një xhami të vetme në Kosovë që ka oborr 2.5 hektarë, shumica i kanë 10-20 ari. Kur jemi te varrezat, është me rëndësi të përmendet që banorët myslimanë të Llapushnikut nuk kanë kërkuar që katolikët t’i ndajnë varrezat, por janë vet banorët e deklaruar katolikë që kanë kërkuar që t’i kenë varrezat e ndara nga myslimanët. Po ashtu, nëpër tërë Kosovën, parcelat për varreza konsiderohen pronë publike dhe janë pronë komunale (jo pronë e BIK-ut), ndërsa në rastin e Llapushnikut parcela për varrezat katolike i ka kaluar në pronësi Ipeshkvisë së Kosovës.
  4. Simbolika e vendit të ndarë
    Parcela 2.5 hektarëshe e ndarë për varrezat e katolikëve (ku më vonë pritet të ndërtohet edhe kisha) është në një vend që ka rëndësi të madhe simbolike për Llapushnikun dhe banorët e tij, sepse pikërisht aty janë zhvilluar disa nga betejat më të ashpra të grykës së Llapushnikut dhe pikërisht aty kanë rëndë disa dëshmorë të UÇK-së. Pikërisht për këtë arsye, ajo zonë ka qenë e shpallur “zonë me rëndësi historike” dhe në të dy anët e parcelës janë lapidarët e dëshmorëve të luftës së UÇK-së të rënë pikërisht në atë vend (në njërin lapidar do të pamundësohej hyrja kur do të vendoseshin muret e parcelës). Nisur nga rëndësia e kësaj simbolike, Shoqatat e dala nga Lufta e UÇK-së dhe ushtarët që kanë luftuar në Grykën e Llapushnikut i kanë bërë peticion Komunës së Drenasit (ndaras nga peticioni i banorëve) për ta ndryshuar vendimin dhe për të mos ndryshuar destinacionin e kësaj parcele (meqë ka qenë zonë me rëndësi historike), por as këtë peticion Komuna e Drenasit nuk e ka marrë parasysh. Këtu është me rëndësi të përmendet që po të kishte kërkuar Bashkësia Islame e Kosovës pikërisht këtë parcelë në këtë vend simbolik për varreza e për xhami, po kështu do të reagonin banorët e Llapushnikut dhe nuk do të lejonin ndërtimin e xhamisë aty, ndërsa analistët e mediat “parimore” do ta etiketonin këtë si tendencë për përdhosje të identitetit kombëtar për hir të fesë, e gjëra të tilla.
  5. Taktizimi me fenë
    Ipeshkvia e Kosovës ka kërkuar pikërisht atë parcelë për varreza të katolikëve (duke lënë të hapur që në të ardhmen ta ndërtojë edhe kishën). Andaj, kur kemi parasysh që Ipeshkvia e Kosovës ka kërkuar 2.5 hektarë për varreza e për kishë për një komunitet prej 4-5 familjesh (që është më shumë se e tepruar), në një vend simbolik që ka vlerë historike për banorët e fshatit, sepse aty kanë rënë dhjetëra dëshmorë (që është shumë fyese për banorët), dhe ndarja e parcelës nuk është bërë në përputhje me ligjin, atëherë del se ky është më shumë një taktizim me fenë, se sa nevojë reale e komunitetit katolik atje. Kjo nuk i bën nderë Ipeshkvisë së Kosovës. Po të ndiqej i njëjti parim nga Bashkësia Islame, atëherë në fshatin Llapushnik do të duhej të ndaheshin me mijëra hektarë tokë për varreza të myslimanëve dhe do të duhej të ndërtoheshin me qindra xhamia, duke zënë edhe oborrin e shkollës e edhe magjistralen Prishtinë-Pejë.
  6. Mosdëshira e shumë banorëve për kishë në Llapushnik
    Një numër i banorëve të Llapushnikut e kundërshtojnë ndërtimin e varrezave dhe kishës në atë parcelë pikërisht për shkak të arsyeve të sipër-përmendura. Por, sigurisht që ka edhe shumë të tjerë që e kundërshtojnë thjesht idenë e ekzistimit të një kishe në Llapushnik, sepse këtë e konsiderojnë si cenim të identitetit fetar të fshatit Llapushnik dhe të Drenicës në përgjithësi. Mospajtimin e tyre e rritë edhe më shumë fakti që Llapushniku nuk ka ende xhami. Si mund të ketë kishë për 30 veta në ndërkohë që nuk ka xhami për 5 mijë veta?!

Zgjidhja:
Më së miri ky problem do të mund të zgjidhej përmes dialogut dhe për ta realizuar këtë do duhej të mblidheshin Kryetari i Komunës së Drenasit, udhëheqësit e Bashkësisë Islame të Kosovë dhe udhëheqësit e Ipeshkvisë së Kosovë së bashku me banorët e Llapushnikut (edhe me katolikët edhe me myslimanët). Zgjidhja konkrete sipas meje do të ishte kjo: për shkak të arsyeve të sipërpërmendura, Ipeshkvia e Kosovës duhet të hiqte dorë nga ajo parcelë në atë vend. Komuna do të mund të ndante një parcelë tjetër më të vogël (më së shumit 50 ari tokë) brenda në fshat ku janë ato familje katolike dhe ato mandej mund të ndërtojnë në atë parcelë edhe varreza edhe kishë për nevojat e banorëve katolikë. Nëse ky problem nuk zgjidhet drejt e me dialog, frikësohem që mund të ketë incidentë në të ardhmen dhe për këtë fajin dhe përgjegjësinë do ta ketë Ipeshkvia e Kosovës dhe Komuna e Drensait, e jo banorët e Llapushnikut.” perfundon Thaci.

Ta zëmë për një moment se qytetarët e fshatit janë kundër ndërtimit të një kishe në fshat. Ironia është kjo: ata të cilët ngritën mbi këtë presupozim, janë të njëjtit të cilët shqetësohen për shumimin e ‘xhamive’ në Kosovën e pasluftës. Madje edhe Don Marjan Uka dhe vet imzot Doda e kanë shprehur këtë ‘shqetësim’ në disa repriza, qoftë në shqip, qoftë në intervista gjermanisht apo anglisht. Këtu ka një skizofreni. Nëse dikush shqetësohet për ndërtime xhamish, ai apo ajo në parim nuk ka pse shqetësohet për shqetësimin e disa të tjerëve për ndërtimin e kishave, apo jo ? Kjo do të ishte sikur me pështy në ajër, e pështyma me të ra në fytyrë. Por këtu jemi duke presupozuar se po kundërshtohet kisha (edhe pse nga prononcimet vërejmë se ko nuk qëndron), ama e dimë me evidence se ka shqetësime për ndërtime xhamish madje nga vet gazetarët e opinionistët e cituar këtu. Kosova sikur çdo vend i lire, është ‘fushëbetejë’ (në thonjëza) narrativash e garash të ndryshme. Në këtë ‘kapitalizëm idesh’ e narrativash, e përpjekjesh, do duhet të ketë ‘barazi në garë’. Kështu, ndërsa disa janë kundër xhamive, disa të tjerë mund të jenë kundër kishash; ndërsa mund të ketë xhami ‘të panevojshme’ e ‘politike’ , mund të ketë edhe kisha ‘të panevojshme’ e ‘politike (sa për intermezzo, Fatmir Sejdiu, atëherë president i Kosovës, ka pas thanë se Katedralen po e ndërtojmë ‘sepse na ka ndihmuar Amerika’ , po po, presidenti paska dëshiruar një Katedrale katolike për Amerikën protestante të McCarthyt të djeshëm ), e madje mund të ketë eventualisht edhe sinagoga ‘të panevojshme’ e ‘politike’ të bëra nga vet dora e Shtetit. Kur në një anë përplasën ata që nuk dëshiruakan kishat ‘e panevojshme’ dhe ata që nuk dëshiruakan ‘shumë xhami’ , në anën tjetër ka një grumbull të madh qytetarësh të cilët e kanë kuptuar ‘kapitalizmin e ideve’ në hapësirën publike dhe për të cilët një xhami apo një kishë tjetër, është si një ekspozitë më shumë në qytetin e tyre. Por, të shohësh njerëz të cilët brengosën për ndërtime xhamish tek egërsohen sepse dikush tjetër (presupozohet se) u ngjason atyre, është më shumë se interesante. Tek po lexoja dhe ndiqja lajmet rreth këtij muhabeti, një seri momentesh skizofrenie që e karakterizojnë ligjërimin rreth fesë në Kosovë mu lidhen disi. Konsideroni për shembull ndalimin nga policia e aktivitetit misionar të disa të rinjve mysliman (të cilët kishin marrë leje për aktivitetin e tyre), në sheshin Nënë Tereza, ndërsa në të njëjtin shesh në këto ditë të nxehta dalin së paku një herë në javë, ashtu siç e lejon ligji, misionar nga më të ndryshimit; apo faktin se në shkolla publikë të Kosovës bëhen aktivitete proselituese (evangjelike) të cilat nuk shpërthejnë thuajse fare shqetësime për laicitetin i cili ndalon proselitizmin aktiv në shkolla; apo faktin se si, me të drejtë, diskutohet për shoqatat arabe të pasluftës, ndërsa nuk është diskutuar asnjëherë për mbi 400 shoqata krishtere (kryesisht evangjelike) të cilat kanë operuar e operojnë në Kosovë; se si krahas shqetësimit, shpeshherë të drejtë, për shoqata të dyshimta arabe që kanë operuar në Kosovë, nuk është përfolur ndonjëherë aktiviteti megarrjetit të Billy Graham-it apo të trashëgimtarit Franklin Graham, nga e djathta ekstreme fetare e Amerikës, që kanë krijuar reputacion dikur me antisemitizmin, tani islamofobinë etj.

Fetarizimi i politikës

Tek disa gazetarë dhe media në Kosovë ka një obsesion për të fetarizuar ngjarjet. Me ‘mish e me shpirt’ gjurmohet për të gjetur ‘argumente’ kudo për predikatet e krijuara, pakashumë sikur ato faqet e portalet që zbulojnë emrin ‘Allah’ nëpër re, nëpër trupa lopësh apo delesh etj. Duan ti bëjnë të realizueshme dosido profecitë e tyre. Kjo bëhet duke zhveshur ngjarje të caktuara politike nga vet konteksti i tyre politik, dhe duke i shfaqur ato si përplasje fetare. Tanimë që termi ‘vehabiste’ është bërë term i përdorur për ‘lisa e fshisa’, disa gazetarë kanë kapacitetin magjik për të lexuar ‘prognozat’ e tyre tashmë të vulosura, ku t’iu teket. Ka njëlloj ‘vehabizimi të ngjarjeve’ , ku aktorë të ndryshëm politik, zhvishen nga ‘politikja’ dhe ‘fetarizohen’ , apo ‘vehabizohen’. Ky proces i ‘fetarizimit’ të oponentit politik e ideor, krijon subjektivitet të ri për një komunitet të caktuar. Psh. nëse çështja e ‘varrezave’ është çështje rreth (jo)ligjshmërisë, fetarizimi me zor i saj nga gazetarë e opinionistë profet , e politizon edhe fenë. Konsideroni për shembull rastin e shamisë. Shamia në parim nuk është simbol politik. Por trysnia , kufizimet, degradimi diskursiv i dinjitetit të vajzave me shami, kontrolli i shtetit mbi trupat e tyre e shndërron shaminë në një simbol politik. Pra është diskursi dhe kontrolli sekular ai i cili e politizon shaminë. Ai e politizon shaminë me zor, duke e bërë atë panevojshëm objekt të politikave të kontrollit kësisoj ai vet shaminë si të tillë e shndërron ‘opozitë’ politike, njëlloj sikurse për shembull, deklarata e atij ministrit turk (Bulent Arinc) për të qeshurat e femrave në publik si ‘diçka e pahijshme’, që e shndërron me automatizëm të qeshurën e fermave, nga një reagim biologjik-fizik ndaj humorit, në një akt politik ‘opozitar’. Fillimisht ajo politizohet pastaj ajo ‘fetarizohet politikisht’.

Houston, Houston, do you read me?

Besiana Xharra, në shkëputjen që kemi sjellë, shkatërruesit e rrethojës i konsideron ‘vëllezërit e ISIS-it’. Ndërkaq Arbana Xharra, gazetare e ‘çmimosur’ , e ‘talebanizon’ ceshtjen (nejse, ka mundur edhe ta australizoj, ta britanizoj, ta amerikanizoj…). Edhe pse ende në fakt nuk ka raport mbi atë se kush saktesisht e ka shkatërruar rrethojën. Natyrisht përgjegjës për këtë janë edhe BIK-u e edhe politikanët. Kiameti! “Sot ndodh kjo, po çka nesër?” shtron pyetjen gazetarja. Arben Idrizi, në shkrimin e tij për këtë ngjarje, e merr shkas për të thelluar vazhdon paranojën për e një botë të mundshme, që në lexim na duket në prag:

“Sidoqoftë, reagimi jonjerëzor i banorëve myslimanë të fshatit Llapushnik është për t’u shqetësuar seriozisht. Sepse nuk është i fundit, nuk është aksidental. Është vetëm njëri prej reagimeve të para që do të pasohen, nëse nuk reagojmë për t’i parandaluar, nga reagime edhe më të ashpra, deri edhe tragjike.

Dhe shihni, sado që duket të jetë një veprim qyqar, i bërë në terr, duke e fshehur identitetin, sado që bën të kuptohet se ende kanë frikë të dalin hapur, është vetëm një tregues se në të vërtetë urrejtja e tyre ndërfetare dhe vendosmëria për të mos e toleruar “tjetrin” është tepër e fuqishme brenda tyre. Të mos e injorojmë: nesër do të dalin publikisht që ç’ke me të, nesër do të bëjnë gjëra edhe më të tmerrshme.”

Destinaconi është fiks e edhe alarmi i njejte! Kosova është në rrezik nga prishësit e presupozuar ‘myslimanë’ të murit të varrezave të ardhshme dhe kundërshtarët e presupozuar të ‘kishave’. ‘Myslimanët janë jotolerantë’, na thotë Idrizi. Bingo, armiku u identifikua, të tjerët janë tolerantë, edhe Idrizi bashkë me ta. Por ata janë edhe ‘të fshehur’ e ata punojnë në nëntokë për të realizuar ‘projektet e tyre’ pwr shkatrrimin e ‘identitetit tonë’, ‘njerëzimit’ etj. E fshehura, ngjallë më shumë frikë, sepse duket gjithnjë e made, shumë e madhe, shumë më kërzënuese. Sikur të ‘urtet e malit Sion’, që përgatisin nga nëntoka projektin e ‘shkatrrimit’ të njerëzimit, mendojnë antisemitet. Kyfar leximi dramatik e distopik, që prenë bileta drejt tragjedive që pritet të na vijnë nga ‘myslimanët jotoleraantë’ , është mjaftë i përhapur. Fundja Baton Haxhiu pati thënë se shamia është hapi i parë drejt luftës civile, ndërkaq Enver Hoxhaj konsideronte ndalimin e shamisë në shkolla dhe votën tij kundër mësim-besimit në shkolla si luftë kundër radikalizmit, të manifestuar në shamia, nga të cilat pritet ‘tragjikja’ dhe ‘më e tmerrshmja’.

Në anën tjetër Vehbi Kajtazi, gazetar i ‘çmimosur’ poashtu, i tregon miletit se si “Njerëzimin nuk e shkatërron ngrohja globale, e as armët e shkatërrimit në masë. Njerëzimin e shkatërrojnë fetë’. Nuk jam i sigurt, nëse Vehbi Kajtazi është i vetëdijshëm se feja ekziston vetëm mbi supet e njerëzve, e që Kosova përbëhet nga njerëz, e ndër ta edhe nga njerëz fetarë. Me arsyetim deduktiv, qytetarët fetarë të Kosovës, qenkan pjesë e korit të shkatërrimit jo vetëm të Kosovës, por të tërë njerëzimit. Këta janë rreziku kryesor i yni, e jo diçka tjetër. E ç’duhet bërë me ata që Kajtazi i ‘vulosë’ si ‘shkatërrues të njerëzimit’ ? Hera e fundit: shkrirje në dhoma gazi! Në fakt, në horizontin e një vendi ‘myslimanësh jotolerant’ , ka njerëz që e mendojnë edhe atë alternative (ndër të tjera):

dhoma gazi

Ka kohë që në Kosovë, ndjelljet frike irracionale ndaj komunitetit mysliman. E them komunitetit mysliman sepse kjo frikë edhe pse e artikuluar rreth ‘ekstremizmit’ e terrorizmit’ e ‘radikalizmit’ bëhet in tandem me anatemimin e ‘myslimanësisë’ së një qytetari/reje të thjeshtë të Kosovës, shaminë e saj apo mjekrën e tij, qëndrimet e tij politike etj. Për ironi, frika e të djathtës ekstreme (edhe kur liberale e të majtë e pronësojnë) është strategji të cilën e përdorë profesionalisht edhe ISIS-i. Kjo frike e ky frikësim sistematik dhe anatemimi e përjashtimi përmes saj i myslimanëve si esencalisht ‘jotolerantë’ e ‘shkatërrues’ , e ‘barbarë’, mund të rezultojë enevtualisht në tre vektorë : ose të stigmatizoj një komunitet të tërë fetarësh duke i konsideruar të ‘rrezikshëm’ vetëm pse fetaria e tyre nuk është ashtu si dëshirojnë ideologjistet sekular (dmth fetari afetare), ose ta bëj atë eventualisht shpërthyes, ose ti bëj të ushqyerit me atë frikë shpërthyes. Ka lidhje organike midis frikë-ndjelljes dhe fashizmit. Por unë refuzoj që të shkruaj me sigurinë e Idrizit projektime distopike paranojake. Por jam i sigurt që Kosova, sikurse çdo vend tjetër i ngjashëm, mund të jetë eventualisht ‘objekt’ tmerresh e dhune, qofshin ato të llojit të Al Kaides, apo Breivik-ut apo Roof-it.

Ka edhe diçka tjetër interesante. Në këtë blog është shkruar se në ligjërimin për ‘islam te moderuar’ , ka një zig-zag ideologjik të ndarjes në myslimane të mirë versus myslimane të kqinjë. I ‘mirë’ apo i ‘moderuar’ është ai mysliman i cili në fakt nuk mendon fare vet dhe e koncepton Islamin e fetarinë e tij pikë-për-pe ashtu siç e konceptojnë bartësit e këtij ligjërimi përjashtues. Për ironi (të radhës) , krejt të përmendurit këtu e kanë cilësuar Osman Musliun si ‘i moderuar’, por edhe ai është mbështetës i protestave për arsye të cilat i ka përmendur e qe korespondojnë me prononcimet tjera, edhe Osman efendiun, të njëjtin, të njëjtët e shndërrojnë në ‘te rrezikshem’ , ‘vëlla i ISIS-it’ , bartës veprash ‘talebaneske’ , ‘shkatërrues’ , ‘jotolerant’ ….  Edhe Osmani i shkretë na qenkësh part-time ‘i moderuar’ e part-time krejt këto mbiemra, sepse edhe ai po mendoa vet. Mënyra më e mirë për të qenë mysliman ‘i mirë’ për bartësit e këtij ligjerimi përjashtues është të mos jesh fare mysliman.

Ndërsa Arben Idrizi a mbyll shkrimin e tij me “parimet universale, kah të cilat jami prirur” …. unë e mbyll timin me një vulgarizim të pazakontë për këtij blog : “të prirur për parime univerzale….MY ASS !”

p.s. mediave të Kosovës, e veçanërisht gazetareve ‘të prirë për vlera universale’ të cilët i kemi përmendur në ketë blog disa herë, ua sugjeroj që të konsiderojnë programet vijuese për ngritje kapacitetesh dhe edukim rreth raportimit për fenë, që ti bëjnë nder edhe vetës e edhe shoqërisë ku po jetojnë:
Religon reporting fellowships
http://internationalreportingproject.org/stories/view/apply-now-for-religion-reporting-fellowships

Journalism-Religion. Dual M.S. – M.A. Program

http://religion.columbia.edu/graduate/journalism-religion

Apo së paku të lexojnë faqet e para të ‘Doracak i gazetarisw’ , përgatitur nga KMI.

NDALOHET PERDORIMI I TEKSTIT NGA PORTALET.

R. Skopi

Advertisements
Standard

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s