Dhuna na vije në oborr: intervistë me Arun Kundnani

A është gjithandej zonë e luftës tani ? Si lidhet kjo me retoriken e “luftës ndaj terrorit” ?

Premtimi i “luftës ndaj terrorit” ishte që ne do i vrasim ata “atje” kështu që ata nuk do na vrasin “këtu”. Kësisoj rrjedhë dhuna masive në Irak, Afganistan, Pakistan, Palestinë, Jemen dhe Somali – në emër të paqes në perëndim. “Autorizimi i Përdorimit të Forcës Ushtarake” , të cilin Kongresi Amerikan e pati kaluar pak pas 11 shtatorit kishte definuar qysh atëherë të tërë botën si një fushëbetejë të “luftës ndaj terrorit”. Presidenti Obama vazhdon të mbështetet tek autorizimi për ti dhënë programit të vrasjeve me drone një fjongo dekorativ legjitimiteti. Kjo është formula e vjetër koloniale e vlerave liberale tek ne, e mbajtur përmes iliberalizmi në periferi – ku vrasjet rutinë tej-juridike janë normalizuar.

Ne të gjithë e dimë se “lufta ndaj terrorizmit” vret më shumë civil sesa që vret terrorizmi; por këtë e tolerojmë ngaqë janë civilët “e tyre” të cilët vriten, në vende të cilat i imagjinojmë të largëta. Por historia koloniale na mëson se dhuna çdoherë “vije në oborr”, në një formë apo tjetër: qoftë në formën e refugjatëve që kërkojnë vendstrehim, qoftë duke ri-sjellë praktikat autoritare fillimisht të praktikuara në kondita koloniale, apo edhe si terrorizëm. Të njëjtat modele përsëriten sot në forma të reja.

9073205 (2)

Për qytetarët mysliman të vendeve perëndimore, këto dinamika krijojnë peshojnë si një barrë e rëndë: ata reduktohen në zgjedhjen false midis të moderuarve dhe ekstremistëve, myslimanëve të mirë dhe myslimanëve të këqij. Pyetja që i ndjekë ata, vet qenien e tyre, është se a do të shkëputen nga lidhja me zonat e dhunës jashtë apo do të kanalizojnë atë dhunë brenda perëndimit. Por kjo nuk është një pyetje që shtrohet në formë të drejtpërdrejtë; është pyetje e cila gjithnjë ri-lokalizohet në fushën e kulturës: a i pranoni vlerat perëndimore ?

Kjo kornizë imponohet vetvetiu, vazhdimisht, në shprehjet publike të myslimanëve, duke shndërruar në të dyshimtë këdo që refuzon të angazhohet në rituale lojaliteti ndaj kulturës perëndimore. Njëkohësisht, ISIS vendos këta mysliman në një “zonë gri” midis imperializmit perëndimor dhe pretendimit të një kalifati të ringjallur.

Ajo çfarë rezulton është një forcim i ndërsjellë i narratives identitare të militarizuar në të dyja anët: xhihadistët shpalosin një numër ligjërimesh nga liderët perëndimor për të mbështetur qëndrimin e tyre se po bëhet luftë ndaj Islamit; dhe liderët perëndimor, në anën tjetër, që legjitimojnë luftën e tyre me ligjërime për “përpjekje gjeneratash” midis vlerave perëndimore dhe ekstremizmit islamik. Ajo që është shokuese sot është gjuhë e lodhur e agresionit ushtarak – “lufta e pamëshirshme” e Hollande – e ricikluar edhe njëherë, përtej faktit të dështimeve të qarta të saj në këto 14 vitet e fundit.

Nga ku kishin ardhur sulmuesit e ISIS në Paris ? Teoritë e radikalizimit a mund të shpjegojnë çfarë i solli ata deri aty ?

Teoritë e radikalizimit të zhvilluara nga think-tanket, agjencitë e inteligjencës (agjencitë sekrete) dhe departamentet akademike të lidhura më aparatin e sigurisë kombëtare janë të prira të bëjnë një numër supozimesh false e të paqëndrueshme në përpjekjet e tyre për të kuptuar dhunën xhihadiste. Fillimisht, ato pandehin një dallim të thellë midis dhunës “islamike” dhe formave të tjera të dhunës politike; kësisoj, historia e dhunës politike në shekullin e 20-të – e veçanërisht ajo e konteksteve koloniale – harrohet dhe mësimet e saja injorohen. Së dyti, ato pandehin se një formë e një ideologjie islamike fetare është faktori kyç që bën që dikush të shndërrohet në terrorist; disa analistë i dhurojnë një rëndësi asaj që ata quajnë “vuajtjet e perceptuara” apo arsyeve emocionale si faktor përçues, por ideologjia vazhdon të merret si faktori dhe arsyeja primare.

Evidenca empirike nuk mbështetë asnjërën nga këto pandehma – shih për shembull vullnetarët evropian të ISIS të cilët arrijnë në Siri më kopje të Islam for Dummies apo të supozuarin lider të sulmeve në Paris, Abdelhamid Abaaoud, për të cilin raportohet të ketë pirë wiskey dhe të ketë qenë tyms kanabisi.

Megjithatë teoritë e radikalizimit janë pranuar zyrtarisht dhe janë popullarizuar. Kjo është kështu ngase ato dhurojnë një racionale, një legjitimitet, për përgjimet (është me e lehtë për ligjvënësit dhe agjencitë e inteligjencës që të gjejnë ideologët sesa terroristët). Leverdishëm, ato vazhdojnë të mohojnë ciklin e dhunës në të cilin kemi hyrë.

Ajo që teoritë e radikalizimit injorojnë është se dhuna në “luftën ndaj terrorit” është relacionale: individët të cilët bëhen vullnetarë të ISIS dëshirojnë të përdorin dhunë; njashtu edhe qeveritë tona. Ne kemi dëshirë të mendojmë se dhuna e jonë është racionale, reaktive dhe normale, ndërkaq e tyre është fanatike, agresive dhe e jashtëzakonshme. Por edhe në bombardojmë gazetarë, fëmijë dhe spitale. Një analize e përgjithshme e radikalizimit ka nevojë që të vej në dukje edhe radikalizimin tonë, meqë jemi bërë përditë e më shumë më të vullnetshëm në përdorimin e dhunës në kontekste nga më të ndryshmet – nga tortura deri tek sulmet me drone dhe luftërat e dirigjuara.

Ajo që tërheq të rekrutuarit në ISIS nuk është aq ideologjia fetare sa është imazhi i një lufte midis perëndimit dhe Islamit. Kjo është një narrative e dy identiteteve fikse të angazhuara në një betejë globale: e vërteta dhe drejtësia në një anë: gënjeshtrat, privimi dhe korrupsioni në tjetrën.

Të rekrutuarit nuk janë të korruptuar nga ideologjia por nga fundi i ideologjisë: ata janë rritur në kohën e “fundit të historisë” të Fracis Fukuyama-s, në kohën kur s’ka alternativë karshi globalizimit kapitalist. Ata nuk kanë njohur ndonjë kritikë, por vetëm teori konspiracioni, dhe kanë rënë në përpjekje apokaliptike në vend përpjekjesh popullore. Sidoqoftë, me gjithë mungesën e përmbajtjes politike, ithtarët e ISIS ndjejnë sikur narrativi i luftës globale kundër perëndimit është një përgjigje ndaj dhunës së racizmit, varfërisë dhe perandorisë.

Si duket reagimi intelektual perëndimor ndaj sulmeve ne Paris ?

Në librin tim The Muslims are Coming! (Myslimanët po vijnë) kam argumentuar se në mesin e politikbërësve, shkollarëve dhe ideologëve të “luftës ndaj terrorit” , ka kryesisht dy qasje në të kuptuarit e “ekstremizmit islamik” : në një anë janë konservatoret të cilët shohin Islamin si një kulturë që dhunën e ka inherente (të përbrendësuar) dhe si kulturë e cila në esencë definohet me tekstet e saja themeluese, dhe në anën tjetër liberalët të cilët mendojnë se armiku është një perversion totalitarist i Islamit që ka lindur në shekullin e 20-të.

Në një shikim të hollë, të dyja këto mënyra të menduarit operojnë së bashku me një solidaritet implicit, duke prodhuar kështu diskurse fleksibile dhe të përshtatshëm të një “problemi mysliman”.

Reagimi intelektual ndaj sulmeve të Parisit ka vazhduar në këtë stil. Cilësia dominante është një narcizëm i cili përshkruan ISIS thjeshtë si një opozitë polare të çdo gjëje për të cilën ne vlerësojmë veten tonë. Për liberalët, ISIS është intolerancë, racizëm dhe shtypje grash. Për konservatorët, ISIS është armiku ideal: fanatik, jo-perëndimor dhe barbar. Në këtë mënyrë, ISIS është “tjetri” absolut i cili mundëson konstruktin e imazhit pozitiv për veten.

Videoja shumë e përhapur e humoristit John Oliver, që denoncon ISIS pas sulmeve të Parisit është ilustrative në këtë rast. Xhihadistët nuk kanë asnjë shans në betejën kulturore me Francën. “Sillni ideologjinë e bankrotuar tuajën. Ata do të sjellin Jean-Paul Sartre, Edith Piaf, verë të mirë, Camus, Camambert.” Por vet Sartri e kuptonte se si të menduarit në formë dualitetesh fikse të identitetit kulturor maskon zinxhirin e fshehur kauzal që lidh barbarizmin me qytetërimin. “S’ka asgjë më konsistente sesa humanizmi racist, – shkruante ai – ngase evropiani ka qenë i aftë të bëhet njëri vetëm përmes krijimit të skllevërve dhe përbindëshave”.

Kjo do të thotë se përgjigja me e kujdesshme ndaj ISIS është ta shohim atë si një simptomë të funksionimit “normal” të modernes, të sistemit global, në vend se ta shohim si një element të jashtëm, që korrupton sistemin nga jashtë apo nga e kaluara para-moderne. Përdorimi që ISIS i bën mediave sociale, refuzimi i kufijve shtetëror të shekullit të 20-të dhe lidhja e tij me ekonominë e naftës, të gjitha këto tregojnë se ISIS është pjellë e globalizimit.

ISIS është sigurisht një përbindësh, por një përbindësh i duarve tona. U lind në kaosin dhe kërdinë që pasoi pas pushtimit të Irakut në 2003-ën. Ideologjia dhe baza e tij sektare ka ardhur nga Saudia dhe elitat e shteteve të Golfit, miqve tanë më të afërt regjional pas Izraelit. Rusia dhe Irani kanë luajtur po ashtu rolin e tyre duke mbajtur në këmbe regjimin e Asadit – përgjegjës për shumë më shumë vdekje civilësh sesa ISIS – dhe duke siguruar zgjatjen e luftës në Siri duke i mundësuar ISIS që të zhvillohet. Në të njëjtën kohë, grupet të cilat kanë qenë me efektive në luftimin e ISIS – milicia kurdë – janë të cilësuara si terroriste nga qeveritë perëndimore ngase ato konsiderohen si kërcënim për aleatin e tyre, Turqinë.

Cila do të ishte përgjigja e duhur evropiane ?

Sigurisht, ideologjia dhe praktikat qeverisëse të ISIS duhet dënuar edhe ekspozuar në çdo rast – shtypja e grave, skllavërimi i minoriteteve, urrejtja e lirisë etj. Por kur kjo bëhet nga pozita e një konflikti global midis vlerave liberale dhe ekstremizmit islamik, atëherë kjo dërgon në qorrsokakun e identitetit politik të militarizuar.

Ne nuk duhet ti lejojmë vetës turpërim apo hezitim kur kritikojmë standardet e dyfishta të dukshme dhe kontradiktat e “luftës ndaj terrorit”. Por këto pika nuk janë të mjaftueshme. E majta duhet të jetë më këmbëngulëse në atë se vetëm një politikë anti-raciste, anti-imperialiste dhe anti-kapitaliste mund të dhuroj një alternativë të mirëfilltë ndaj xhihadizmit; se zgjidhja e jo problemi, është në më shumë radikalizim, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës; se terrorizmi lulëzon në ambientet ku lëvizja e masave të cilat ofrojnë një progres shoqëror ka dështuar.

Walter Benjamin thoshte se prapa çdo fashizmi ka një revolucion të dështuar. E njëjta është e vërtetë me terrorizmin: ISIS ekziston sepse revolucionet arabe të 2011-ës dështuan.

Prandaj duhet që të mbrojmë hapësirat e politikave radikale, në mënyrë që të kemi të drejtë të ëndërrojmë një botë tjetër. Strategjitë e kundër-terrorizmit dhe veçanërisht politikat kundër radikalizimit si programi Prevent i Britanisë së Madhe, i avullojnë këto hapësira. Duhet gjithashtu të ndalojmë sulmet ajrore, të cilat vetëm sa thellojnë ciklin e dhunës dhe forcojnë narrative e ISIS rreth luftës së perëndimit me Islamin; pastaj duhet të ndalim mbështetjen tonë ndaj regjimeve të cilat kanë lejuar ngritjen e ISIS, sidomos elitën Saudite, influenca më reaksionare në rajon.
Për fund, refugjatët duhet mbrojtur, jo vetëm pse ata janë viktima, por sepse ata bartin mbi vete dijen rreth dështimeve tona. Duhet të ua lejojmë që të na mësojnë neve për vetën tonë.

Intervista është publikuar fillimisht tek OpenDemocracy me 22 Nëntor 2015.

Përkthimi mund të shpërndahet duke cituar burimin.

Advertisements
Standard

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s